Ahmeti e Thaçi urojnë presidentin e ri të Shqipërisë

Liderët e partive më të mëdha shqiptare në vend, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi i kanë dërguar telegrame urimi presidentit të sapo zgjedhur të Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Kam nderin e veçantë në emrin tim personal si dhe në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim, t’ju uroj zgjedhjen për President të Republikës së Shqipërisë në një proces demokratik dhe në përputhje me pritjet e miqve tanë ndërkombëtar. Njëkohësisht, më lejoni ju lutem të Zotohem para jush dhe qytetarëve të Shqipërisë për vazhdimin e bashkëpunimit të afërt institucional dhe miqësor me institucionin e Presidentit të Republikës dhe të gjitha institucionet demokratike të shtetit shqiptar.  Jam i bindur në përkushtimin tuaj si President i Republikës së Shqipërisë, për përkujdesje institucionale rreth mirëqenies së kombit tonë në Ballkan dhe në ndihmesën tuaj drejt ritakimit të shqiptarëve në rrugën e integrimit tonë të përbashkët në Bruksel. Zgjedhja e juaj në krye të shtetit shqiptar në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, dhe kjo zgjedhje reflekton përkushtimin e Shqipërisë që të ec drejt rrugës së integrimit duke marrë me vete edhe fqinjët e saj” shkruhet në telegramin e urimit të Ali Ahmetit.

“Zgjedhja Juaj si President dëshmoi edhe njëherë se Republika e Shqipërisë ka vlera të larta civilizuese dhe kapacitete demokratike. Shprehim bindjen se me zgjedhjen e Juaj në këtë detyrë padyshim do të kontribuoni në avancimin e standardeve demokratike duke patur parasysh se ju jeni President i të gjithë shqiptarëve. Ju si President do të vazhdoni të promovoni politikën e mirëkuptimit jo vetëm brenda Republikës së Shqipërisë, rajonit, por edhe më gjërë. Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare duke ju uruar sukses në detyrën e re, shprehi bindje se Shqipëria tashmë si anëtare e NATO-s do të jetë së shpejti edhe anëtare e Bashkimit Evropian” shkruhet në telegramin e urimit të Menduh Thaçit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button