A mund të ndodh koalicioni PDSH-LSDM?

Edhe pse ngelet gati një vit deri në zgjedhjet  lokale, në Maqedoni ka filluar një fushatë agresive përplot kritika dhe ofendime të anasjella, ku partitë politike sidomos dy rivalët kryesorë në vend LSDM dhe VMRO-DPMNE janë duke shfrytëzuar çdo sekondë prezence në media elektronike, dhe çdo milimetër nga faqet e gazetave për të sulmuar njëra-tjetrën. Lidhur me mundësinë e një koalicionimi mes partive opozitare shqiptare dhe maqedonase, përkatësisht të PDSH-së dhe LSDM-së, njohësit e zhvillimeve politike në vend janë me qëndrime të ndara.

Artan Sadiku është i mendimit se koalicion nuk mund të ketë, por bashkëpunim të ngushtë kundër qeverisë po. 

‘Mendoj se pas një periudhe të gjatë, kur LSDM-ja opozitare tentonte prej pozicionit opozitarë të krijojë njëfarë aleance apo një lloj përafrimi me partnerin shqiptar aktual në qeveri, dhe pas dështimit të këtij tentimi është kthyer në njëfarë mënyre nga partitë tjera dhe kjo gjithashtu mund të ndërlidhet edhe me paraqitjen e liderit të opozitës Cërvenkovski  i cili në njëfarë mënyre tentoi të flirtonte me shqiptarët. Nuk besoj se do të ketë koalicion formal mes partive opozitare maqedonase dhe shqiptare, por do të ketë marrëveshje, bashkëveprim, koalicion joformal,  me qëllim që të sfidojnë qeverinë si tërësi dhe jo ndaras secila parti të akuzojë kundërshtarin e vet’ vlerëson Sadiku.

Për Petar Arsovskin një koalicion i tillë është i mundshëm pasi që  edhe në vet qeverinë kemi një parti të djathtë dhe një të majtë që përbëjnë koalicionin qeveritar.
‘Koalicionimi mes LSDM-së dhe PDSH-së nuk është i pamundshëm, pasi që shtabet e tyre lokale koalicione të tilla bëjnë në mënyrë operative, kështu që nuk shoh se pse nuk do të koaliciononin këto dy parti, aq më shumë kur janë opozitare dhe përkatësia kombëtare këtu nuk duhet të luaj rol të madh’, thotë Arsovski.

Analistët vlerësojnë se përforcimi i retorikës së mediumeve është prodhim i përforcimit të retorikës së përgjithshme në shoqëri  siç ndodh gjatë një fushate elektorale, secili medium ka qëndrimin e vet, përkrah favoritët e vet, dhe kjo është pjesë e situatë së përgjithshme në shtet.

Ata thonë se kjo situatë është risi për politikën në vend, sepse fushata fillon një vit përpara dhe se ekziston rreziku që veprimtaria e partive politike të defokusohet nga puna e tyre institucionale dhe fokusi të vihet në ndërtimin e fushatave së tyre.

‘Rreziku është se trendi do të vazhdojë për shkak se kur një parti fillon fushatën partitë tjera detyrimisht e ndjekin atë që të mos ngelin prapa, dhe ngadalë i afrohemi një situate ku vazhdimisht do të kemi fushatë politike me çka e gjithë energjia për udhëheqjen e shtetit për drejtimin e institucioneve  do të harxhohet në fushata’ thotë Sadiku. 

Edhe analisti Petar Arsovski vlerëson se një gjë e tillë është risi në Maqedoni, por shton se kjo praktikë që moti zbatohet në vendet evropiane dhe sidomos në Amerikë.

‘Edhe pse fillimi i fushatave aq herët nuk është praktikë në Maqedoni , nuk është gjë e pazakontë në botë, në botë fillojnë edhe më herët, për shembull fushata në Amerikë fillon dy vite para zgjedhjeve, por është e vërtetë se tek neve nuk është praktikë, por tanin partitë janë në terren dhe normalisht zmadhohen tensionet, secili kërkon  pjesën e vet të kulaçit, rritet pakënaqësia tek njerëzit dhe hyhet në betejë pak më ashpër’ thotë Arsovski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button