Ahmeti: Nuk bëhemi vegël e LSDM-së

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në emisonin ‘XO’ në televizionin Kanal 5, tha se partia e tij do të ngelet pjesë e koalicionit qeveritar së paku deri në zgjedhjet lokale që zhvillohen vitin e ardhshëm.

‘Dalja nga qeveria nuk zgjidh çështjen e emrit dhe nuk zhbllokon proceset euroatlantike, ashtu që për këtë duhet të arrijnë marrëveshje elitat politike në Maqedoni. Ndërsa në vitin 2013-të do të ketë zhvillime politike për zgjedhjet lokale dhe këto zgjedhje janë edhe shans për opozitën për të treguar se sa e besuar është, nëse ata marrin më shumë vota, atëherë  do të mendojmë për hapa tjerë’ tha Ahmeti.

Ahmeti ka ripërsëritur edhe një herë se nuk bëhet dot vegël e ndonjë partie opozitare maqedonase, duke aluduar në LSDM-në.

‘Ne nuk dëshirojmë të bëjmë hipokrizi dhe akrobacione dhe ti bëjmë dëm popullit. BDI nuk është shërbim i ndonjë elite, por ka lirinë në veprimin e saj dhe përcaktimet në politikë. Ne nuk reagojmë me eufori, por ulemi në tavolinë dhe analizojmë, para se të ndërmarrin ndonjë hap”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti porositi se Maqedonia edhe më tej duhet të vazhdojë bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së emrit. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button