Protesta e gazetarëve: gjykatës bëni punën tuaj, mos bini pre e politikës

Gjykatat të kryejnë punën e tyre sipas ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare që i ka nënshkruar Maqedonia, dhe të mos bëhen pre e presioneve nga politika, porositi kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani gjatë protestës së gazetarëve që po zhvillohet para Gjykatës penale në Shkup.

Selmani para dhjetëra gazetarëve që iu përgjigjën ftesës së ShGM-së për të protestuar tha se përgjegjësia për problemet e shumta në gjyqësi duhet të individualizohet.

‘Është  koha e fundit që përgjegjësia të individualizohet, nuk mundet gjykatat për shkak të një numri të caktuar të  gjykatësve të papërgjegjshëm, të rrënojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Jemi këtu që të thërrasim  gjykatat të zbatojnë ligjin, dhe të mos pranojnë presione politike, sepse këtë ua garanton kushtetuta’ tha Selmani.

“Jemi këtu për tu dhënë mbështetje atyre pak gjykatësve që punojnë duke zbatuar ligjin dhe praktikën e gjykatave evropiane. Ndërsa u bëjmë thirrje gjykatësve tjerë që u japin dënime të mëdha gazetarëve të mos koketojnë me politikën për funksione dhe fotelje” tha Selmani.

Ai sqaroi se protesta nuk është kundër qeverisë, apo bisedimeve të ndërprera mes saj dhe SHGM-së, por për të kërkuar që gjykatësit të bëjnë punën për të cilën janë zgjedhur dhe për të cilën paguhen.

‘Nuk jemi kundër bisedimeve me qeverinë, jemi këtu që të kërkojmë nga gjykatësit të bëjnë punën e tyre, dhe të mos presin urdhra politikë. Nëse qeveria shpreh vullnet për zgjedhjen e problemeve, ne jemi këtu. Ne jemi këtu dhe i themi qeverise se jemi te gatshëm për ti vazhduar bisedimet, dhe pët të arritur zgjidhje për pikat ku kemi ngecur’, tha Selmani.

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë pas bllokimit të bisedimeve me qeverinë para dy muaj e gjysmë kërkon zgjidhje adekuate për dekriminalizimin, ndërsa të merren për model praktikat gjyqësore të Strasburgut. 

Në protestë ku merrnin pjesë dhjetëra gazetarë, kishte parulla vetëm në gjuhën maqedonase, kjo për shkak të interesimit të vogël për të protestuar të gazetarëve shqiptarë.

Në Maqedoni edhe më tej gazetarët dënohen,  në të shumtën e rasteve për shpifje, ndërsa nuk ekziston dënim maksimal për këtë akoma vepër penale, dhe shumë gazetarë vetë censurohen për të mos qenë viktima të këtyre proceseve. Çdo vit në Maqedoni ngrihen mbi 300 padi ndaj gazetarëve, ndërsa shuma rekorde për dënim për shpifje ndaj gazetarëve, arrin plot 32 mijë euro./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button