Presidenti, Kuvendi pritet të votojë sot Artan Hoxhën

Kuvendi pritet të votojë sot kandidaturën e mazhorancës për president të vendit, Artan Hoxhën. Emri i tij u bë publik mbrëmë nga kryeministri Sali Berisha në përfundim të tryezës së dytë të bisedimeve me kryetarin socialist Edi Rama.

“Mazhoranca vendosi që të paraqesë për votim në Parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës shqiptare, drejtuesin e Institutit të Studimeve Bashkohore, institut ky që është dhe hartuesi i të gjitha ligjeve të reformave ekonomike, veçanërisht ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit”, tha kryeministri.
 
Në takimin ku ishin të pranishëm edhe dy aleatët e kryeministit Berisha, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dhe ai i partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi. Shumica paraqiti krahas emrit të zotit Hoxha dhe tre kandidatura mes të cilëve ministri i saj i Mbrotjes Arben Imami, ai i Brendshëm Bujar Nishani si dhe këshilltari ekonomik i kryeministrit, Petraq Milo.

Kandidatura të cilat sipas kryetarit socialist Edi Rama ishin “emra të dalë nga oborri i pushtetit” dhe për të cilët opozita nuk mund të jepte konsensusin. “Zhvillimi i tryezës ishte i tillë që e bëri, praktikisht, të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të një momenti dialogu dhe bashkërendimi të energjive dhe të forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale. Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë, që praktikisht ia bënte të pamundur opozitës mbështetjen me votë të cilësdo prej kandidaturave të ofruara” theksoi Rama.
 
Sot pritet vetëm zyrtarizimi i kandidaturës së zotit Hoxha dhe votimi më pas në parlament, i cili duket se do të jetë një formalitet pasi shumica i ka të gjitha numrat për të votuar e vetme, pavarësisht kundërshtimit të opozitës.

Mblidhet grupi i PS-së dhe Komisioni i Ligjeve

Ndërkohë në orën 09:00 mblidhet grupi parlamentar i PS-së që do të vendosë mbi qëndrimin që do të mbajnë deputetët në seancën e sotme plenare ndërsa në orën 09: 45 mblidhet komisioni i Ligjeve i cili do të trajtojë nga ana ligjore plotësimin e kushteve të përcaktuara në Kushtetutë dhe më pas do të depozitojë në seancë një raport përpara se emri i Artan Hoxhës të hidhet në votim.

Kush është Artan Hoxha?
Artan Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enrico Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989).

Ai,  ka një angazhim të hershëm politik dhe publik. Në vitin 1992-1993 ai ka qenë ministër i Tregtisë në qeverinë e kryeministrit Aleksandër Meksi. Më vonë ai nuk u përfshi më në administratën publike por që nga viti 1997 ka qenë drejtues i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, institut që ka dhënë ndihmesë të gjatë në përpilimin e shumë reformave dhe hartimin e shumë ligjeve të rëndësishme gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë bashkëpunimin edhe me qeveritë socialiste.

Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.

Së fundmi Artan Hoxha, u bë një figurë e njohur publike edhe për shkak të angazhimit në publicistikë apo dhe si opinionist për ngjarjet dhe zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, me qëndrime në mbështetje kryesisht ndaj së djathtës në pushtet.

Lajme të ngjashme

Back to top button