Filluan punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit
Kanë filluar punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, që konsiderohet si një ndër veprat e rëndësishme infrastrukturore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Punimet filluan nëpërmjet një ceremonie të organizuar në Qarkun e Dibrës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Rruga e Arbrit do të jetë një realitet.
“Është një takim i shumëpritur, një takim për një zotim. Një vizion që do të jetë tanimë një realitet dhe nuk do të jetë më një iluzion, Rruga e Arbrit. Për çdo shqiptar e bashkëkombës, kudo që është, Rruga e Arbrit është një çështje drejtësie. Drejtësi e historisë. Drejtësi që shteti shqiptar ka detyrën absolute dhe shtrëngim moral ta vërë dhe ta garantojë një herë e përgjithmonë”, tha Rama gjatë fjalimit të tij në një nga ceremonitë për fillimin punimeve.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Rruga e Arbrit, është një vepër infrastrukturore që do të kushtojë rreth 240 milionë euro, ku shteti shqiptar do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare.
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit me një gjatësi rreth 74 kilometra do të shkurtojë rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër dhe do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me disa qytete të Maqedonisë, si një rrugë lidhëse ndërkombëtare.