UNS anëtarësohet në rrjetin e universiteteve të Mesdheut

Dita Rajonale ‘Emuni’ në Strugë (EMUNI Regional Day in Struga) u shënua me një takim mes përfaqësueseve të disa universiteteve dhe institucioneve të ndryshme të rajonit dhe më gjerë në Strugë, në organizim të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës. 

Në këtë eveniment prezent ishte Prof. Dr.Armen Kadriu kryetari I Bordit të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës; Prof. Dr. Joseph Mifsud, President i Universitetit EMUNI; Prof. Dr. Anastas Angjeli, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë; Dr. Ramiz Merko, Kryetari i Komunës së Strugës; Prof. Dr. Gudar Beqiraj, Kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptare; dhe disa pjesëmarrës të shquar nga fusha politike dhe arsimore në qytetin e Strugës. Ata ndanë opinionet e tyre mbi temën e këtij organizimi: ‘‘Integrimi Mesdhetar në Kontekstin e Integrimit Evropian: Roli i Arsimit të Lartë në Procesin e Integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian’’. 

Në diskutimin e tij Ramiz Merko, Kryetari i Komunës së Strugës, u shpreh me mirënjohjen më të thellë për pjesëmarrjen e të gjithë personaliteteve të ftuar dhe rolin e tyre progresiv , dhe shtoi se “nëse Struga ecën me hapat që po ndjek Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, atëherë me krenari mund të pohojmë se jemi në udhën e drejtë për t’u shndërruar në një Qendër Universitare” tha Merko.

Njëkohësisht, rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Angjeli në fjalën e tij evidentoi faktin që tashmë UNS është konsoliduar në një Institucion mjaft serioz në tregun e arsimit universitar në rajon dhe më gjerë. Më pas Angjeli , vijoi me promovimin e vlerave akademiko – shkencore të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, duke diskutuar vlerën dhe rëndësinë e profileve të tij. Rektori Angjeli, përshëndeti anëtarësimin e UNS-së në këtë rrjet universitetesh mesdhetare në të cilin anëtarë janë edhe universitete nga Evropa, Afrika Veriore, Lindja e Mesme, etj, të cilët përfitojnë nga programet e shkëmbimit të studentëve dhe personelit akademik, prej ditës së nënshkrimit. 

Fjalimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave Shqiptare, akademikut Gudar Beqiraj, u prit mirë nga studentët dhe të pranishmit. 

“Fjala dashuri është e madhe dhe duke qenë e tillë, përfshin një gamë të gjerë të jetës shoqërore, por me plot gojë dhe bindje të hekurt pohoj se unë jam i Dashuruar me Universitetin Ndërkombëtar të Strugës” përfundoi fjalën përshëndetëse akademiku Beqiraj.

Prof. Dr. Josiph Mifsud, President i Universitetit EMUNI (Euro – Mediterranea University) proklamoi detajisht të gjitha cilësitë, misionet dhe qëllimet e këtij rrjeti universitar. Programet e shumta studimore, që krijojnë mundësinë e studentëve të çdo universiteti, anëtar të këtij rrjeti, të ndjekin cikle të ndryshme studimeve (nga Master, në PhD) te kushdo nga 150 universitetet anëtare. 

Përmbyllja e programit nga stafi pedagogjik i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, pasoi me një dhuratë simbolike për rektorin Mifsud (Fletë Mirënjohje dhe një set publikimesh shkencore të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës), duke finalizuar me nënshkrimin e anëtarësimit dhe më pas me komunikimet e lira, jo formale, mes të pranishmëve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button