Shënohet 134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit

Sot në trojet shqiptare shënohet 134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit, lëvizjes së parë të madhe të organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë. Është etapa paraprake para pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë kontekst, manifestimi qendror me program artistiko-kulturor do të mbahet në qytetin e Prizrenit, ku do të mblidhen elita politike kosovare në krye me kryeministrin Hashim Thaçi. Në këtë eveniment do të jetë prezent dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ndërkaq në Shkup, Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe komuna e Çairit bëjnë ftesë për të shënuar së bashku këtë datë historike me një Akademi Solemne. Manifestimi nis në orën 13:00 dhe do të mbahet te Libraria e Çarshisë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Në këtë Akademi, do të marrin pjesë zv/kryeministri Musa Xhaferri, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, si dhe trashëgues (nipi) i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, zyrtarisht ajo filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. 

Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, ndërsa në takim kishte edhe boshnjakë nga Bosnja dhe Sanxhaku.

Ajo është një nga përpjekjet më serioze për pavarësinë e vendit, jo vetëm për nga numri i përfaqësuesve të mblodhi, por edhe nga platforma ideologjike.

Drejtuesit shqiptarë u paraqitën në këtë takim me një program politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar.

Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Evropës, i cili mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij.

Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës.

Lëvizja për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga kjo veprimtari e fuqishme “I sëmuri i Bosforit” ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha ushtarake për ta shtypur atë.

Edhe pse u shtyp, Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar, i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri.

Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button