Sholtes pret rekomandim pozitiv për vizat për Kosovën

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, pret rekomandim pozitiv për vizat për Kosovën, raporton KTV.

Sholtes, gjatë një konference për media, është shprehur optimist se liberalizimi do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Deputeti slloven i Parlamentit Evropian, Sholtes, ka kërkuar luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të mos fajësohet BE-ja për liberalizimin.

Qershori pritet të përcaktojë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza.

Në këtë muaj pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për këtë proces.

Optimist se deri në fund të vitit kosovarët do të lëvizin pa viza është shprehur në Prishtinë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes.

“Jemi duke u përpjekur në përmbushjen e kërkesave tuaja dhe në muajt në vijim pritjet janë të mëdha. Por, kjo nuk varet krejtësisht nga Parlamenti Evropian, ka edhe aktorë të tjerë kyç që luajnë rol në këtë proces. Mirëpo, shpresoj që rekomandimet nga Komisioni Evropian do të jenë pozitive. Kjo do të jetë një mesazh shumë i rëndësishëm sa i përket Komisionit Evropian për të dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave dhe sinqerisht shpresoj që do të ndodh deri kah fundi i këtij viti”.

Por, Sholtes ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet ta fajësojnë Bashkimin Evropian për procesin, duke thënë se vonesat kanë ardhur nga mos plotësimi i kritereve të kërkuara.

“E kuptojmë se ka pritje të mëdha nga publiku kosovar për liberalizimin e vizave pas miratimit të demarkacionit me Malin e Zi. Liberalizimi realisht veç është vonuar. Mos e fajësoni vetëm BE-në për këtë. Kosova është dashur ta fitojë liberalizimin para dy vjetëve me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Unë jam duke bërë më të mirën sa i përket Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave.”

Deputeti nga Parlamenti Evropian ka kërkuar luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në gjyqësor, pavarësi të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ndërkaq, duke folur për fazën finale të dialogut me Serbinë, Sholtes pret marrëveshje përfundimtare nga të dyja palët.

Ndërsa, ka theksuar se është e rëndësishme për Kosovën që pushteti dhe opozita të kenë platformë të përbashkët për dialogun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button