Tetova ujë ka, ujë s’ka

Qytetarët e Tetovës edhe në ditën e parë të muajit të Ramazanit nuk do të munden në tërësi ti plotësojnë nevojat për shfrytëzimin e ujit të pijshëm. Mungesa e ujit në vende më të larta rrëzë Malit Sharr  siç janë Breza 1 dhe  2 , Koltuk  ka bërë që këta qytetarë të kenë mungesë të ujit të pijshëm.

Ndonjëherë ndodhin edhe fenomene të pazakonta dhe  në të mirë të qytetarëve.
Drejtori i ndërmarrjes publike komunale Ajet Murati thotë se “para disa javësh, 10 burime që ishin tharë gati 10 vite filluan të japin ujë të pijshëm dhe tani për tani tetovarët kanë afër 420 litra ujë në sekondë, sipas tij i mjaftueshëm për nevojat e qytetarëve, por jo edhe për keqpërdorim. 

Murati thotë se në qytet ka shumë lavazhe, ka shumë që me ujë e pijshëm bëjnë ujitjen e hapësirave të gjelbra dhe kjo bën që shumë qytetarë të ngelin pa ujë të mjaftueshëm për pije”.

Me ardhjen e  në krye të komunës së Tetovës Sadi Bexheti,  ai hapi edhe disa puse për të plotësuar nevojat e qytetarëve me ujë të pijshëm që për momentin nuk janë aktiv ku sipas burimeve të Portalb, ata puse japin mbi 100 litra ujë në sekondë dhe në vit vetëm një pus harxhojë afër 10 mijë euro rrymë, dhe si duket jo është arsyeja kryesore që nuk bëhet aktivizimi i këtyre pusave.

Po ku ka mbetur projekti i quajtur Leshnica, pse ky projekt nuk përfundon  ish drejtori I NPK-së Hajrulla Hasani thotë se gjendja e tanishme me mungesën e ujit do të vazhdojë përderisa nuk vetëdijesohen banorët e Tetovës. 

“Kjo situatë me ujin do të vazhdojë deri sa popullata e Tetovës do të durojë këtë gjendje pa ujë të pijshëm. Kur nuk do të durojë qytetari i Tetovës, atëherë do rregullohet kjo çështje. Deri sa populli ri i qetë, atëherë edhe institucionet rinë qetë”, thotë Hasani, duke nxjerrë në pah edhe një nevojë tjetër pas përfundimit eventual të ujësjellësit, ndërtimin e stacionit të filtrimit.

Për këtë projekt, ai thotë se do të nevojiten edhe 1. 5 milionë euro shtesë. Ai apelon për një strategji tërësisht të re, qasje serioze dhe plan për investim lidhur me furnizimin me ujë të Tetovës. “Me këtë dua të them se sikur të gjitha ujërat e Sharrit të grumbullohen, nuk mjaftojnë për qytetin e Tetovës, pasi ato ujëra që shkojnë në ujësjellës janë ujëra sipërfaqësor, pra nuk kemi burime nëntokësore. Për këtë kemi ujë vetëm në sezone të caktuara pas reshjeve. Duhet të kalohet në strategjinë e re, pra akumulimit të ujërave nëntokësor”, thotë ai. 

Hasani thotë se projekti i ujësjellësit të Tetovës është i projektuar si zgjidhje afatmesme dhe mbase nuk është përfunduar në kohë, tani kërkon një qasje krejtësisht tjetër. Ish-drejtori i NPKsë Hasani zbardh edhe përvojën e tij personale për ta çuar deri në fund këtë projekt. Ai zbulon se në vitin 2008 është aplikuar për kredi në bankën gjermane KËA BANK, në vlerë prej 2 milionë denarëve, por që ka dështuar.

“Përfaqësues të kësaj banke rreth 6 muaj, monitoruan situatën me financat se a mundet dhe e ka kapacitet kjo ndërmarrje të kthejë kredinë. Kredia u miratua pasi që bilanci ishte pozitiv dhe nga skenimet që kishin bërë përfaqësues të asaj banke në 88 ndërmarrje në Maqedoni, NPK-Tetova- Tetovë,ishte ndër 6 më të mirat. Megjithatë, rënia e bilancit financiar dhe trendi i rënies së parametrave financiare të ndërmarrjes bëri që kredi të ndalet”, thotë Hajrullah Hasani, ish drejtor i NPK-së.

Ndërsa nga  komuna eTetovës ankohen nga qeveria , ata shpresojn se me shitjen e disa lokaleve dhe me kredi do të zgjidhet ky problem.  Ish zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe njëkohësisht zyrtarë i lartë i urbanizmit në Komunën e Tetovës, Skender Palloshi, prezanton shifra përmes të cilave tregon për derdhjen e mjeteve qeveritare nga viti 2006 te Komuna e Tetovës.

Sipas Palloshit, gjatë viteve 2006-2008 janë ndarë gjithsej 127 milion denarë, prej të cilave janë shfrytëzuar 76 milionë ose 1.3 milion euro. Nga viti 2009 e deri në vitin 2012 nga ana e qeverisë janë ndarë 26 milionë denarë ose 450 mijë euro.

“Për dy vite, pra në 2011-ën dhe 2012-ën nga MTL nuk ështëndarë asnjë cent. Për dallim nga kjo, Qeveria për rrjetet e ujësjellësve në disa qytete me shumicë maqedonase ka ndarë mjete për këto destinime. Shembull është Prilepi ku janë ndarë 9. 2 milion euro për ujësjellësin e këtij qyteti, ndërsa kështu është edhe në shumë qytete ku shumicë janë maqedonasit”, thotë ai. 

Duke patur parasysh se Qeveria nuk e ka ndërmend të bëjë diçka në këtë drejtim, Palloshi thotë se Komuna e Tetovës ndërmori disa hapa gjatë këtij viti për gjetje të financave për ujësjellësin. 

“Kështu, me vendim të Këshillit janë shitur disa lokale pronë të Komunës dhe janë inkasuar 600 mijë euro, mjete të cilët do të përdoren për vazhdimin e punëve të përfundimit të ujësjellësit. Jemi duke bërë përgatitje për sigurimin e mjeteve të një kredie dhe ta përfundojmë këtë projekt”, thotë ish zëvendësministri i Transportit Palloshi. Optimist se punimet e ujësjellësit të Tetovës do të fillojnë se shpejti është edhe kryetari Sadi Bexheti.

Po ku shkuan milona euro për këtë projekt të” famshëm”, për Ujësjellësin e Tetovës.
Portalb arriti të siguroj disa shifra që janë ndarë nga qeveria për Ujësjellësin e Tetovës.

2007 – 75 milionë denarë
2008 – 48 milionë denarë
2008 – 4 milionë denarë shtesë
2009 – 18 milionë denarë
2010 – 8 milionë denarë
2011 – 0 denarë
2012 – 0 denarë

Në buxhetin e vitit 2012 por as me rebalancin nuk janë paraparë mjete për ujësjellësin e Tetovës. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, gjatë miratimit të buxhetit tha se Komuna e Tetovës nuk kishte dërguar projekt për ujësjellësin, por këto pohime u demantuan nga pushteti lokal.

  

Lajme të ngjashme

Back to top button