Protesta, mesazh se nuk lejojmë shkeljen e dinjitetit

Në protestën e ditës së enjte do të dërgojmë mesazh se nuk do të lejojmë që të na shkelet dinjiteti dhe se nuk do të bëhemi gjithmonë mish për top, deklaroi  për Portalb kryetari i Shoqatës së ish-të persekutuarve shqiptar Shpëtim Pollozhani.

Të shtunën u mblodh kryesia e shoqatës së ish të përndjekurve politikë ku i definuam çështjet teknike të protestës,  u definuan parullat, u definuan çështjet e kujdestarisë etj, thotë Pollozhani duke njoftuar se të gjitha përgatitjet tani më kanë përfunduar.

Pollozhani edhe një herë fton partitë shqiptare që ti bashkëngjiten protestës dhe tu japin legjitimitet edhe më të madh kërkesave të tyre.

‘Ftesë i kemi dërguar partive politike, me një fjalë bashkohuni me ne sepse ju jeni ne, ne jemi ju,  nuk kemi përgjigje kthyese, natyrisht ftesa u është dërguar dhe kemi marrë përkrahje nga Shoqata e Historianëve, Shoqata e Arsimtarëve, shoqata e botuesve shqiptarë dhe shumë asociacione të tjera, 14 shoqata në Kërçovë, tifozë futbolli,  por sido që të jetë e reja e vjetër është se me këtë protestë dëshirojmë të përcjellim një mesazh dhe një vërejte, natyrisht se nuk do të bëhemi gjithmonë mish për top, kjo përshihet në parullën kryesore ‘Për dinjitet’,  do të thotë nuk do të lejojmë të na shkelet dinjiteti jonë, për vlera evropiane, në këtë protestë do të jetë i kufizuar numri i parullave, numri I relikteve siç janë flamujt ose ndonjë dekor tjetër përcjellës dhe natyrisht theksi kryesor do të jetë, serioziteti dhe mesazhi I protestës ku do të marrin pjesë burra, gra, fëmijë që do të protestojnë në mënyrë dinjitoze’, deklaroi Pollozhani.

Sipas tij kjo do të jetë protestë paralajmëruese, pa kërkesa të definuara  politike.

‘Më tutje do ti zgjerojmë edhe kërkesat por do ta zgjerojmë edhe fushë veprimin, për në vjeshtë për shembull planifikojmë gjithashtu, nëse nuk lëvizin punët në lidhje me futjen në rend dite të çështjes së ish të përndjekurve politikë, dhe pse jo edhe të këtyre të burgosurve politikë tash në agjendën pyetësorë edhe të Bashkimit Evropian,  natyrisht se parashohim edhe protestë edhe para selisë së BE-së, dhe natyrisht një protestë më të madhe gjithë përfshirëse përpara disa institucioneve shtetërore në Shkup’ tha Pollozhani.

Thirrje për dalje masive në protestë ka dërguar edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni.  

“Vlerësojmë se i gjithë populli shqiptarë, pavarësisht dallimeve politike apo tjetër fare, duhet të përkrahë këtë protestë paqësore dhe evropiane për korrigjimin e një gabimi të madh historik që u bë ndaj nesh gjatë sistemit komunist. Në bazë të të dëshmive dhe dokumenteve të kohës, del se çdo familje shqiptare, në një apo formë tjetër, është e dëmtuar nga ai sistem. Pra, nuk ka asnjë familje shqiptare në Maqedoni që nuk ka në gjirin e vetë të paktën një person të vrarë, të burgosur, të maltretuar, të internuar apo të suspenduar nga puna për shkaqe ideologjike” shkruhet në kumtesën e SHHSHM-së.

Nga kjo shoqatë thonë se kjo protestë duhet të përkrahet fuqimisht nga e gjithë shoqëria civile, sikurse edhe nga subjektet politike shqiptare në Parlament, të cilat duhet të marrin seriozisht obligimin për të nxjerrë sa më shpejtë një ligj korrekt për zhdëmtimin e të gjitha viktimave të komunizmit.  

Protestën për momentin e përkrah Rilindja Demokratike Kombëtare. Nisur nga qëllimi i mbrojtjes dhe artikulimit të të drejtave kombëtare, si edhe nga fakti se në mesin e saj ka shumë ish-të burgosur dhe të përndjekur politik, punonjës të arsimit, historianë, si edhe anëtarë të shumtë të shoqatave tjera organizatore të protestës së paralajmëruar për 7 qershor, Rilindja Demokratike Kombëtare mbështet fuqishëm mbajtjen e protestës paqësore me moton “Për dinjitet, vlera evropiane dhe bashkim”, si dhe solidarizohet me kërkesat e saj legjitime, thuhet në kumtesën me shkrim nga kjo parti.

‘Mbajtja e kësaj proteste para Qeverisë së Maqedonisë duhet ta bëjë këtë qeveri të kuptojë dhe të ndërgjegjësohet një herë e mirë se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një të tretën e popullit të Maqedonisë dhe se injorimi i tyre si popull dhe mosrespektimi i historisë, gjuhës, traditës dhe të drejtave e interesave të tyre, nënkupton edhe humbje të perspektivës dhe ardhmërisë evropiane për Maqedoninë. Gjendja e rëndë aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, injorimi i interesave dhe përfaqësimit të tyre, diskriminimi i tyre i vazhdueshëm, përsëritja e rasteve të montuara dhe fyerja e historisë dhe dinjitetit të shqiptarëve përmes publikimeve të financuara nga Qeveria e Maqedonisë, janë shkaqe plotësisht legjitime që një popull i nëpërkëmbur të çohet në protesta paqësore, në mënyrë që të dëgjohet fuqishëm zëri i tij’, thuhet në kumtesën e Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Dy partitë politike më të mëdha në vend BDI-ja në pushtet dhe PDSH-ja opozitare, akoma nuk janë prononcuar nëse do të përkrahin protestën apo jo.

Të enjten më 7 qershor, Shoqata e të Persekutuarve politikë, e Historianëve,  e Arsimtarëve dhe disa dhjetëra shoqata të tjera do të organizojnë protestë me moton:  Për dinjitet, vlera evropiane dhe bashkim. Protesta do të mbahet në Shkup, ditën e enjte, në orën 13:00 përpara Qeverisë të Maqedonisë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button