Takimi Berisha- Rama për Presidentin dështoi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi para pak çastesh se takimi i tij me kryeministrin Sali Berisha nuk solli asnjë rezultat konkret, kurse paralajmëroi se nuk do të ketë një votim për Presidentin  në Parlament. Edhe Berisha pranoi se ka dështuar tryeza e mbrëmjes së sotme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Unë nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret. Jo. Por shprehëm qëndrimet, pozicionet, elaboruam modalitete e përpjekjeve për konsensualitet dhe ky ishte e tëra ajo çka u diskutua në këtë takim”, deklaroi Berisha .

“Në këtë takim, shprehëm qëndrimin dhe vendosmërinë e mazhorancës për një përpjekje për zgjidhje konsensuale të presidentit, ashtu siç përcakton kushtetuta, e cila në frymë dhe në germë e përcakton këtë zgjidhje si zgjidhje kushtetuese të tre raundeve të para”.

“U bë një shkëmbim do të thosha i hapur i mendimeve dhe pikëpamjeve për procesin. Ju tashmë e dini që mazhoranca ka bërë hapat e veta, ka bërë tërheqjet e veta, ka bërë paraqitjen, nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake, duke u dhënë përparësi përpjekjes serioze për një zgjidhje konsensuale me opozitën. Ne besojmë, mendojmë që dhe opozita do të bëjë hapat e saj”, tha Berisha.

Ndonëse tha se tryeza nuk është e dështuar pasi PS është gati të vazhdojë bisedimet, Rama pranoi se tryeza e së dielës ishte një dështim i mirëfilltë.

Rama pranoi publikisht se opozita nuk e ka ndërmend të kërkojë konsensus të Partisë Demokratike për një emër të saj.

“Ne jemi opozita, jemi pakica, jemi pjesa e Parlamentit që duhet të përfshihet për një emër të dakorduar”, deklaroi Rama.

“ Ne jemi shumë të vendosur të bëjmë gjithçka është në dorën tonë që ti japim shqiptarëve presidentin që meritojnë, një president me votat e qeverisë dhe të opozitës. Shtruam vijën tonë të qasjes dhe garantuam se qëllimi ynë është ta zgjidhim këtë çështje me dakordim. Nuk kemi kushte, kemi vetëm vullnetin e mirë dhe të palëkundur që të kontribuojmë”, tha ai.

Për sot nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të një rezultati konkret por besoj se ka gjasa për të vazhduar me qetësi dhe me bindje se kjo çështje duhet zgjidhur. Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona sepse ne nuk duam një presione të partisë Socialiste, nuk duam të vendosim njëanshmërisht apo të imponohemi në çfarëdo mënyre, por duam që të kontribuojmë dhe ajo çka thamë shumë qartë ishte se qeveria duhet të na japë mundësinë që të kontribuojmë,

Rama nuk përmendi asnjë emër për kandidat, kurse pyetjes nëse do të ketë një takim të dytë me Berishën i dha këtë përgjigje.

“Nuk mund të hyjmë në një garë emrash. Ne duhet të biem dakord që kemi detyrimin reciprokisht që të gjejmë presidentin e unitetit kombëtar. Në lidhje me kandidaturën e paraqitur nga qeveria, ne kemi përsëritur qëndrimin e njohur publikisht dhe kemi kërkuar që një hapje e vogël, e cila ka ndodhur, duke kaluar nga qëndrimi i shumë muajve në një qëndrim që në vetvete përbën një përpjekje për të gjetur pikë takimi me opozitën të vazhdojë”, tha Rama.

Ai theksoi se opozita nuk e mbështet Zaganjori për president të ri të vendit.

“Për momentin qeveria qëndron në emrin e tyre kurse ne nuk hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar zgjidhjen me konsensus të kësaj çështjeje”, sqaroi Rama.

Ai qartësoi kështu se as në raundin e dytë nuk do të ketë votim për presidentin ndonëse tha se “jemi gati që të bisedojmë edhe para nisjes së raundit të dytë”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button