Skandaloze: Evropa jep para Maqedonia nuk i shfrytëzon

Maqedonia ka problem serioz me shfrytëzimin e parave evropiane. Konstatimi jepet në raportin e 12-të nga ndjekja e procesit  të afrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian,  të përgatitur nga Qendra maqedonase për arsimim evropian  dhe Fondacioni për shoqëri të hapur Maqedoni.

Raporti dëshmon se Maqedonia ka problem serioz me shfrytëzimin e fondeve evropiane dhe se gjatë vitit 2012 është më se e qartë se një pjesë e madhe e këtyre fondeve do të humben, nëse qeveria nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm në drejtim të rritjes së kapaciteteve të shoqërisë në vend, thanë autorët e raportit.

Maqedonia nga 620 milion euro, para të pakthyeshme që i ka ndarë Komisioni Evropian  për periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2013, deri në fund të vitit 2011 ka shpenzuar vetëm 90 milion euro, tha Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për arsimim evropian. 

‘Nga evaluimi që ka bërë Komisioni evropian për vitet 2007 dhe 2008-të, raporti ku tregohen sa mjete janë kontraktuar gjatë këtyre dy viteve është shumë simptomatik, për shembull në Shqipëri në vitin 2007 kanë qenë 15 për qind, Bosnja 47 për qind, Kosova 48 për qind e te tjerë, Maqedonia ka pasur 24.8 për qind fonde IPA të kontraktuara, nuk i ka absorbuar po i ka kontraktuar, tani  në vitin 2008 tek të gjitha vendet e rajonit ka rritje të përqindjes që është e logjikshme, sepse është krijuar përvojë, janë mësuar rregullat, gjithkund ka rritje të kontratave, ndërsa Maqedonia  nga 24.8 për qind, zbret në 0.3 për qind fonde IPA të kontraktuara, dhe tani, një qeveri normale do të shqetësohej’, deklaroi Dimova.

Qeveria nuk ka vullnet politik për të punuar  në agjendën evropiane deh kjo është arsyeja kryesore se pse nuk shfrytëzohen këto fonde tha Fani Karanfilova-Panovska.  

‘Arsyeja kryesore është mos ekzistimi i vullnetit politik, respektivisht Maqedonia nuk është e interesuar për paratë evropiane, sepse në përgjithësi interesi për agjendën evropiane është në nivel shumë të ulët,  dhe kjo ndikon edhe në programimin e parave nga grantet, sepse për një numër të madh të projekteve që mund ti financojmë me këto fonde të pakthyeshme Maqedonia viteve të fundit morri hua dhe kredi’, tha Panovska.

Problemi i dytë  i madh sipas saj është kapaciteti administrativ, sepse gjatë viteve të fundit shumë njerëz që janë  trajnuar janë ‘zhdukur’ nga administrata publike kështu që mos ekzistimi i memorjes institucionale ka shkaktuar këtë problem, tha Panovska.

Fondet IPA janë të ndara në pesë komponentë: ndërtimi i institucioneve dhe ndihma gjatë tranzicionit, bashkëpunimi ndërkufitar, zhvillimi rajonal, zhvillimi i resurseve njerëzore dhe zhvillimi rural.

Në komponentin e parë Maqedonia nga 243 milion euro, ka shfrytëzuar vetëm 48 milion dhe 20 milion të tjetre i ka aktualisht në disponim, në komponentin e dytë atë të bashkëpunimit ndërkufitar  nga 32 milion euro, janë shpenzuar më pak se 2 milion, në komponentin e tretë për zhvillim rajonal Maqedonia ka  200 milion euro në dispozicion edhe atë për dy projekte, financimi i ndërtimit të Korridorit 10, përkatësisht aksi rrugor Demir Kapi-Smokvicë në gjatësi prej 28 kilometrash  dhe stacionin për pastrim në Prilep.

Çmimi fillestar i rrugës nga 250 milion u rrit në 320 milion euro, nga të cilat 45 milion nga IPA fondet, ndërsa  130 milion euro kredi nga Banka evropiane e investimeve, 90 milion nga BERZH dhe 55 milion nga buxheti i shtetit.

Në komponentin e katërt Maqedonia nga 55 milion euro në dispozicion ka shfrytëzuar vetëm 3.46 milion euro, ndërsa ka kontraktuar 9.78 milionë dhe në komponentin e pestë nga 88 milion euro në dipozicion ka shfrytëzuar  afro 1.5 milion euro. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button