Topi: Zgjedhja e presidentit, përmes një proçesi transparent

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi të enjten me Grupin Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore, të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel, vlerësoi se zgjedhja e Kreut të ri të shtetit duhet të kalojë përmes një procesi të hapur dhe transparent.

Kreu i Shtetit bëri një përshkrim të reformave në Shqipëri në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor,  duke theksuar se një rol kyç gjatë këtij procesi luan dhe institucioni legjislativ, sidomos në realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit përmes një procesi të hapur dhe transparent, për t’i dhënë vendit garantuesin e ekuilibrave dhe pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Përfaqësuesit e Grupit Parlamentar gjerman vlerësuan rolin kyç të Shqipërisë e faktorit shqiptar në drejtim të forcimit të paqes e sigurisë së popujve të Ballkanit, të projektuar tashmë qartazi drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Në takim ishte e pranishme dhe Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karola Myler-Holtkemper. (LajmeShqip.com)

Lajme të ngjashme

Back to top button