Siri, autokolona e katërt largohet nga kampi Jermuk

Autokolona e katërt e autobusëve me pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) dhe familjet e tyre arritën sot në provincën Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet grupeve të armatosura të opozitës dhe regjimit sirian më 29 prill, luftëtarët e ULS-së dhe të afërmit e tyre u lejuan të largoheshin nga pjesë të kampit të refugjatëve Jermuk pranë kryeqytetit Damask.

Sipas gazetarëve të AA-së në terren, autokolona me 61 autobusë që transportonin 1.757 anëtarë të ULS-së dhe familjet e tyre u shoqëruan nga dy ambulanca.

Numri i përgjithshëm i njerëzve të evakuuar nga rajoni deri tani është 6.700. Sipas kushteve të marrëveshjes, rreth 17.000 njerëz pritet të evakuohen nga kampi Jermuk.

Më 4 maj, procesi i evakuimit filloi me një autokolonë që arriti në qytetin Al-Bab të Sirisë, që bie në zonën e operacionit antiterrorist “Mburoja e Eufratit” të kryer nga ana e Turqisë.

I vendosur tetë kilometra në jug të kryeqytetit Damask dhe i banuar kryesisht nga refugjatë palestinezë, kampi Jermuk ka sipërfaqe prej 16 kilometrash katrorë.

Teksa ULS thuhet se kontrollon shtatë kilometra katrorë të rajonit lindor të kampit, regjimi i Asadit ka marrë kohët e fundit gjashtë kilometra katrorë nga organizata terroriste DEASH në pjesën perëndimore të kampit.

Për pesë vitet e fundit, kampi Jermuk ka mbetur nën rrethim nga regjimi i Asadit dhe grupet milice të mbështetura nga Irani. Në pjesët e kontrolluara nga DEASH-i, rreth 2.500 familje, shumica prej tyre palestinezë, kanë luftuar për të mbijetuar.

Ndërkohë, rreth 100 mijë njerëz besohet se banojnë në pjesët e kontrolluara nga ULS.

Pas marrjes së kontrollit mbi Gutën Lindore në periferi të Damaskut muajin e kaluar, forcat e regjimit avancuan në kampin Jermuk, ku raportohet se kanë vrarë dhjetra refugjatë palestinezë.

Në një marrëveshje tjetër të nënshkruar më 29 prill, regjimi sirian dhe Tahrir al-Sham, një grup i armatosur i opozitës, ranë dakord të evakuojnë pjesë të kampit të kontrolluar nga ky i fundit.

Ndërkaq, regjimi ka vazhduar të kryejë sulme ndaj pjesëve të kampit që ende mbahen nga organizata terroriste DEASH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button