Dibra e lënë pas dore, ringjallet vetëm verës

Dibra si qytet i lashtë shqiptar vazhdon të mbetet një qytet ku gjallëria vjen në shprehje vetëm gjatë muajve të verës, kur në të qëndrojnë mërgimtarët me familjet e tyre. 

Mërgimi vazhdon të mbetet një problem kryesor për dibranët, banorët  thonë se shumë të rinj që jetojnë në Dibër, rrugëdaljen e kërkojnë në migrim si shpëtim të vetëm për mbijetesën e tyre. Nga kjo, viteve të fundit Dibra transformohet në një qytet sezonal. Pothuajse çdo shtëpi e tretë në Dibër është e mbyllur dhe hapet atëherë kur vijnë mërgimtarët. 

“Edhe këtë verë, si zakonisht, në Dibër pritet të vijnë dhe të qëndrojnë disa javë rreth 5.000 mërgimtarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Amerikë, e sidomos në New York, Brooklyn, Staten Island, New Jersey, Kenerik, Arizona etj. dhe ata që jetojnë dhe punojnë në shtetet evropiane siç janë Italia, Gjermania, Zvicra, Austria, Belgjika, Franca, shtetet Skandinave” thotë Vullnet Torte, banor i Dibrës.

Sipas tij, përpos mërgimtarëve dibranë të lindur në Dibër, pritet të vijnë edhe të rinj, të cilët viteve të fundit kanë krijuar një traditë të mirë duke shprehur dëshirën që ditët e nxehta t’i kalojnë me më të afërmit në vendlindjen e prindërve. Po ashtu, pritet që një pjesë e të rinjve që vijnë nga mërgimi të bëjnë fejesat e tyre, duke u kurorëzuar me vajza apo djem dibranë.

Pritet që ardhja e tyre të fillojë në fillim të qershorit, kurse ardhja masive në Dibër do të jetë në fund të muajit qershor. 

Ardhja e mërgimtarëve nga SHBA-ja, ku jetojnë mbi 15 mijë dibranë, do të fillojë në fillim të muajit korrik. Zakonisht ata do të pushojnë në Dibër deri në fillim të shtatorit. 

Mërgimtarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, siç njoftojnë shoqatat e mërgimtarëve tanë edhe këtë verë pritet që ata të vijnë në atdhe në gusht me familjet e tyre.

“Prezenca e mërgimtarëve, pritet të sjellë një qarkullim financiar të madh të rrjetit tregtar, por edhe atij hotelierik. Edhe këtë verë mërgimtarët si zakonisht pritet të harxhojnë mijëra euro dhe dollarë, duke bërë dasmat e tyre tradicionale në vendlindje, por edhe duke investuar në shtëpitë e tyre të bukura jo vetëm në qytet por edhe nëpër fshatra, me çka dukshëm do të ndikohet në zhvillimin e qytetit” thonë nga marketi “Dashi Komerc”.

Me kalimin e verës Dibra boshatiset dhe në të mbesin jo më shumë se dhjetë mijë banorë, edhe atë banorë më telashe të shumta sociale. Mërgimtarët i ndihmojnë dukshëm të afërmit e tyre, por problemet sociale në Dibër mbeten edhe më tej, meqë papunësia është evidente. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button