Hipertensioni, rreziku për zemrën, veshkat dhe trurin

Vlerat normale të presionit arterial duhet të jenë 120/ 80 mmHg, ndërkohë që çdo vlerë mbi 140 konsiderohet si hipertension apo presion i lartë gjaku.

Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe në QSUT, tregon për gazetën “Shëndet +” shkaqet e hipertensionit duke renditur jetën sedentare, kequshqyerjen, obezitetin, duhanin, alkoolin etj, ndërkohë që flet edhe për simptomat, edhe pse ndonjëherë është asimptomatik ose pacientët e nënvlerësojnë.

Më tej ajo ndalet tek komplikacionet, ku thekson se hipertensioni jo rrallë herë jep komplikacione që mund të jenë dhe fatale për pacientin, me dëmtim të muskulit të zemrës, hemorragji cerebrale, dëmtim të veshkave, zgjerim të aortës etj, ndërkohë që thekson rëndësinë e parandalimit.

Çfarë është hipertensioni?

Hipertensioni ose presioni i lartë i gjakut është një gjendje ku presioni arterial sistolik është mbi 40 mmHg dhe presioni arterial diastolik është mbi 80 mmHg. Presioni sistolik nënkupton forcën me të cilën zemra pompon gjakun në arterie, ndërsa diastoliku është rezistenca që këto arterie i bëjnë fluksit të gjakut. Kur rezistencat janë të larta, kemi gjendje jo normale sepse sa më elastike arteriet, aq më normal tensioni, sa më të ngurta arteriet, aq më i lartë është tensioni.

Hipertensioni ndahet në primar (esencial) dhe sekondar. Primar apo esencial do të thotë që nuk ka shkak, pra nuk është një sëmundje tjetër përgjegjëse për këtë hipertension, por është gjenetika, pra predispozicioni gjenetik. Ne e dimë shumë mirë që disa njerëz sëmuren me hipertension, kanë vlera më të larta të tensionit në mosha më të reja se disa të tjerë, pra ky është predispozicioni genetik.  Gjithashtu është dhe mosha, me rritjen e moshës fillon dhe rritja e tensionit arterial duke qenë se enët e gjakut nuk janë më elastike por janë sklerotike, kalcifikohen/ ngurtësohen dhe rritet rezistencat që ato i bëjnë rrjedhës së gjakut. Pra kjo është një nga faktorët që çon në rritjen e tensionit arterial.

Cilat konsiderohen vlera normale?

Vlerat ideale të presionit arterial janë 120 me 80. Pra 120 i larti me 80 i ulëti. Ndërkohë që para se të flasim për vlera të larta, kemi dhe një interval tjetër që quhet normal i lartë dhe që është 130-140, mbi 140 fillon hipertensioni.

Stadi i parë ka vlerat 160, mbi 160 -180 stadi i dytë dhe mbi 180 konsiderohet stadi i tretë. Ne duhet të synojmë t’i kemi poshtë 140, që janë vlerat normale të tensionit. Megjithatë kjo varet dhe nga mosha,

sepse për një 30 vjeçar 140 është i lartë, ndërkohë që tek moshat mbi 60-70 vjeç 140 është vlerë normale.

Cilët janë faktorët që çojnë në shfaqjen e hipertensionit?

  1. Stili i jetesës. Kjo nënkupton mënyrën e të ngrënit, ushqimet që konsumojmë dhe sa lëvizim. Njerëzit që nuk merren me aktivitet fizik zakonisht janë mbipeshë dhe obeziteti shoqërohet gjithmonë me rritje të tensionit arterial.
  2. Alkooli çon gjithashtu në shtim në peshë dhe rritje të tensionit.
  3. Duhani dëmton enët e gjakut duke çuar në sklerotizimin e tyre dhe duke dëmtuar shtresën e brendshme të enëve të gjakut, që prodhon substanca të cilat çojnë në enëzgjerim. Në momentin që duhani e dëmton këtë, kjo shtresë nuk prodhon më substanca enë zgjeruese që çojnë në ulje të tensionit, por prodhohen substanca vazo ngushtuese që çojnë në rritje të tensionit.
  4. Aktiviteti fizik. Duhet të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar fizik 5 ditë në javë.

Me çfarë simptomash shoqërohet hipertensioni?

Shpeshherë tensioni jep simptoma, por ka dhe persona të cilët janë asimptomatik. Shenjat më të shpeshta të tensionit, që edhe i nënvlerësojnë, janë:

Dhimbja e kokës, diskomfort në kraharor, që mund të shoqërohet dhe me mpirje të krahu të majtë, mund të kenë ndjesinë e të vjellit, skuqje të fytyrës, afsh i nxehtë, dhimbje gjoksi që mund ta ngatërrojë dhe me sëmundjen e arterieve koronare etj.

Ndërkohë që ka një pakicë që mund të mos kenë simptoma të qarta edhe në vlerat 160-170, por kur tensioni sistolik shkon 200, patjetër që edhe këta pacientë do të kenë simptoma.

Komplikacionet më të rënda nga hipertensioni.

  • Hipertensioni jep komplikacione që shpeshherë janë fatale. Jep dëmtim të muskulit të zemrës me insuficiencë kardiake, që është një nga faktorët madhorë të rrezikut për sëmundjen iskemike të zemrës dhe zë peshën më të madhe në sëmundshmërinë kardiake.
  • Jep hemorragji cerebrale, pra një komplikacion fatal vdekjeprurës apo invalidizues që të çon në paralizë.
  • Jep dëmtim të veshkave.
  • Zgjerim të aortës (aneurizëm aorte), me rrezik për t’u çarë.
  • Gjithashtu mund të dëmtojë enët periferike të gjakut.

Sa shpesh haset dhe kush janë më të rriskuar?

Haset jashtëzakonisht shumë shpesh. Tek ne haset shpesh sepse stili i jetesës është shumë favorizues për hipertension dhe sëmundje të tjera. Kjo nënkupton një ngrënie të keqe, duhanpirje, alkoolin,  mungesën e aktiviteti fizik. Më e keqja është se këta njerëz që nuk janë koshientë për shëndetin e tyre dëmtojnë dhe të tjerët. Dhe nuk është se mungon informacioni, informacion ka plotë, por ka rezistencë ndërgjegjësimi, nuk duan të ndërgjegjësohen.

Më të riskuar janë meshkujt krahasuar me femrat, kjo për shkak se janë dhe më të ekspozuar ndaj faktorëve të riskut. Ndërkohë që tek femrat fillon zakonisht kur fillon dhe menopauza.

Si bëhet matja e tensionit dhe sa shpesh duhet bërë?

Përveç matjes me manshetë, që e masim për momentin, bëhet dhe me holter 24 orësh i presionit arterial, që tregon shifrat e tensionit gjatë 24 orëve apo gjatë 48 orëve, pra gjatë ditës, gjatë natës, kur fle, gjatë aktivitetit fizik etj, dhe ne aty përcaktojmë që ky person është hipertonik që do një trajtim medikamentoz apo thjesht ka qenë një gjendje e izoluar ajo shifër e lartë tensioni e nxitur nga kushte/ rrethana të tjera.

Sa i përket pyetjes së dytë, matja e tensionit në persona të shëndetshëm, mbi 18 vjeç, këshillohet 1 herë në 2-3 vjet, dhe mbi 40 vjeç  duhet bërë çdo vit.

Parandalimi/ trajtimi?

  • Të humbasin peshë.
  • Të ndalojmë alkoolin dhe duhanin.
  • Të ushtrohen rregullisht (aktivitet fizik).

Krahas këtyre, në rast se me modifikimin e stilit të jetesës nuk japin rezultat, pra vazhdon tensioni të jetë i lartë, atëherë do kalojmë në mjekimin medikamentoz, i cili konsiston në klasat përkatëse të medikamenteve. Për sa kohë do të vazhdojë mjekimi, pacienti do të jetë gjithmonë në kontakt të vazhdueshëm me doktorin. Moshat mbi 50 vjeç patjetër do ta marrin gjithë jetën sepse fillon hipertensioni esencial, ndërkohë kur tensioni ndodh në kushte të caktuara, lodhje, stresi etj, hipertensioni trajtohet vetëm për pak kohë.

Ushqyerja dhe hipertensioni

Hudhra dhe limoni janë dy ushqime që ulin tensionin, por vetëm atë të lehtë 140-150 ose një tension të shkaktuar nga lodhja, stresi etj. Nëse hipertensioni është i instaluar, atëherë nuk mund ta ulesh më me hudhër apo pak limon, por duhet të fillosh modifikimin e stilit të jetesës, nëse dhe këtë e ke në rregull, atëherë duhet të fillosh medikamentet.

Ndërkohë që kafeja bën të kundërtën, e rrit sepse shkakton takikardi. Pra, rrit numrin e rrahjeve të zemrës dhe shkakton vazokonstruksion/ rrit rezistencën, sepse dy faktorët që çojnë në rritje tensioni është sasia e gjakut që hidhet nga zemra dhe vazongushtimi. Por jo një kafe, një kafe mund të pihet patjetër, është normale, problemi fillon kur personi pi 3-4 kafe në ditë, pra e ekzagjeron.

E njëjta gjë dhe për kripën. Kripa është një nga faktorët që çon në rritje të tensionit. Personat që janë hipertensiv duhet të kenë një reduktim të kripës në menun e tyre. Ngrënia e tepërt e kripës çon në hipertension./ Shendeti.com.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button