Drejtori: ”Dora e Drejtësisë” nuk thotë të vërtetën

Muamer Doko, drejtori i shkollës fillore ”Vëllazërim Bashkimi” në Ohër, reagimin e shoqatës ”Dora e Drejtësisë” e quan të motivuar politikisht dhe me prapaskenë në funksion të një agjende të caktuar. Doko potencon se Revista ”Zëri i Vëllazëror ”, që editon kjo shkollë prej vitesh botohet në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke.

”Prej vitit 1950, Revista është botuar në këtë formë e ndarë në tre pjesë të barabarta, për të tre gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi në shkollën tonë. Gjuha shqipe, është prezentë me të gjitha materialet që janë pregaditur nga një redaksi e ngritur për këtë qëllim e përbërë nga mësimdhënësit shqiptar. Ndërkohë, sa i përket lëshimeve gjuhësore ato duhet thënë se janë teknike dhe nuk janë të qëllimshme. Unë, nuk e kuptoj realisht këtë reagim të bërë nga ish nxënësit e mi për një çështje kaq periferike” – thekson Muamer Doko.

Drejtori i shkollës së vetme fillore ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Ohër potencon se mësimdhënësit, prindërit shqiptar por edhe strukturat e tjera do të duhet të kujdesen më shumë për problematika të tjera për shqiptarët e Ohrit dhe jo të merren me botimin e një Reviste dhe gabimet e saja teknike.
”Do ishte më eficente, që të gjithë së bashku të punojmë në rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe dijes për fëmijët shqiptar të kësaj shkolle” – përfundon ai.

Shoqata ”DORA e DREJTËSISË” me seli në Ohër dje nëpërmjet një komunikate dërguar mediave reagoi rreth situatës që mbizotëron në shkollën fillore “Vëllazërim Bashkim”, të Ohrit, duke denoncuar publikimin e revistës së nxënësve të kësaj shkolle ku në mënyrë të hapur sipas saj ishte injoruar gjuha shqipe.

 Kjo për faktin sepse pjesa më e madhe e shkrimeve ishin vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa ato pakë shkrime në gjuhën shqipe kishin probleme të mëdha gjuhësore thuhej në reagimin e kësaj Shoqate të re në qytetin e Ohrit. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button