Interesi kombëtar të vendoset mbi gjithçka!

Kandidati i vetëshpallur për president të Republikës së Shqipërisë, Fatos Nano, ka kërkuar nga krerët politikë shqiptarë që t’i thërrasin mendjes dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë evropiane. Ai ka thënë se është vetëofruar si kandidat për president të Republikës që nëse arrin të zgjidhet të jetë shërbëtor i Shqipërisë.
“Unë vetëofrohem që të shërbej si President Republike, që të bëhem inkurajues institucional dhe modelues e ndërtues i kulturës dhe ambientit politik që duhet ta ketë si normalitet dialogun, konsultimet, bashkërendimin, konsensusin dhe marrëveshjet mes Edi Ramës, Ilir Metës, Sali Berishës e kujtdo tjetër që është e do të vijë”, ka thënë ish-kryeministri shqiptarë, njëherësh ish-lider i Partisë Socialiste, në një intervistë për MAPO.

“Unë mendoj se ajo që është ushtruar krejt pa vëmendje, pa reflektim, pa konsultime të përbashkëta, e si rrjedhojë me eficiencën më të ulët në këto 22 vite postdiktatoriale në Shqipëri, ka qenë dhe mbetet pikërisht gjimnastika e ndryshimit. Ne kemi patur dëshirën dhe vullnetin e i kemi ndryshuar gjërat, por nuk kemi ndryshuar dot rëndesën e gjërave mbi ne. Ne i kemi ndryshuar kushtet, por nuk kemi ndryshuar dot peshën e tyre mbi ne. Ne kemi ndryshuar sistemin, por nuk kemi ndryshuar dot ndikimin e të shkuarës mbi ne”.
“Ndaj duhet thënë në sinqeritet të plotë këtu se trajektoret politike të Fatos Nanos nuk e kanë patur luksin të anashkalojnë apo tejkalojnë limitet e kohës, rrethanave dhe kulturës mbizotëruese, ndonëse unë në dijeninë dhe përpjekjet e mia por edhe sipas shumë vlerësimeve tashmë të mbarëpranuara nga qytetarët shqiptarë por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kam qenë një transformator i zellshëm i Partisë Socialiste dhe besoj e shpresoj edhe i Shqipërisë”, ka thënë Nano.

Ish-kryeministri ka thënë se ngasja e tij për t’u vetëofruar vjen nën kontekstin e një realiteti ku përplasja, konfliktualiteti, logjika e forcës, mesianizmi politik etj, e kanë lënë krejt bosh hapësirën e shërbimit publik që plot përunjësi modelon e nxit paqen, marrëveshjen, dialogun për të mirën e Shqipërisë si edhe për përparimin e agjendës së saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Me këtë arsyetim besoj se është e vetëkuptueshme se Fatos Nano nuk mund të jetë thjesht një kandidat për President Republike. Fatos Nano është një politikan, një shërbëtor publik, një qytetar i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, i cili kërkon të marrë përgjegjësi të plota dhe ofrojë vetveten, përvojën, dijet dhe të gjitha kapacitetet e tij, për të përmbushur me dinjitet, përkushtim, ndershmëri, paanësi dhe drejtësi të gjitha detyrimet e simbolit të Unitetit Kombëtar e gjithçka tjetër që ngërthehet në detyrimet kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike të Presidentit të Republikës”.

I pyetur të komentojë deklaratën e kryeministrit Sali Berisha se Presidenti do të dalë nga forumet e Partisë Demokratike, Nano ka thënë se është në të mirën e Shqipërisë, ashtu sikundër edhe është në të mirën e Sali Berishës, apo të kandidates së mundshme Jozefina Topallit dhe të Partisë Demokratike, që zgjedhja e Presidentit të Republikës të jetë jo një sfidë e Partisë Demokratike për Partinë Demokratike, por domosdoshmërisht duhet të jetë një sfidë e përpjekje për një proces sa më demokratik, sa më të hapur, sa më komunikativ, sa më gjithëpërfshirës, sa më të drejtë, sa më konkurrues, dhe mbi të gjitha duke vendosur mbi gjithçka interesin kombëtar.

“Çdo dalje nga ky aks do të rrezikojë Shqipërinë, por edhe vetë Sali Berishën, Jozefina Topallin dhe Partinë Demokratike. Ndërkohë që çdo zgjidhje gjithëpërfshirëse, konstruktive, duke vendosur interesin kombëtar përmbi atë partiak, në dialog e bashkërendim me të gjitha palët politike në vend, e patjetër edhe me partnerët ndërkombëtarë, sigurisht që do ta kualifikonte Sali Berishën si një shtetar të denjë dhe të përgjegjshëm”.

Faktori tjetër i fortë që mund të përcaktojë zgjedhjen e Nanos sipas MAPO-s është edhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Unë dhe Edi Rama, ka ardhur koha dhe kemi detyrimin, që ta marrim e zhvendosim njëri-tjetrin nga ‘gjendja e mosmarrëveshjes’ drejt ‘gjendjes së marrëveshjes dhe solidaritetit’, për të mirën e kulturës transformuese pozitive për të cilën kaq shumë kemi folur më sipër, për të mirën e Partisë Socialiste, por sidomos e mbi të gjitha për të mirën e Shqipërisë”, ka thënë ndër të tjera Nano duke bërë thirrje që të merren parasysh sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po bëjnë shumë për të ndihmuar shqiptarët dhe institucionet e tyre që të bëjnë zgjidhje të drejta dhe të tejkalojnë krizat për të merituar përparimin e procesit të integrimit evropian. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button