BDI: Falë Thaçit shqiptarët humbën 5 deputetë

BDI shpreh keqardhje të thellë për përsëritjen e qëndrimeve përçarëse dhe lokaliste të liderit të PDSH-së opozita, Menduh Thaçi, dhe dënon çdo përpjekje të tij për ndasi dhe diferencim midis shqiptarëve. Është kjo njëra nga konkluzat e partisë së Ali Ahmetit pas mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të kësaj partie.

“Qëndrimet e tilla janë absolutisht të papranueshme për arsye se dëmtojnë rëndë përpjekjet tona për fuqizimin lokal të shqiptarëve në të gjitha komunat ku ata jetojnë, që nga Struga e gjer në Likovë. Ishin pikërisht këto politike përçarëse që na shkaktuan kosto të lartë në zgjedhjet e fundit parlamentare ku shqiptarët humbën së paku 5 deputet në përbërjen aktuale” kanë thënë nga BDI.

Nga kjo parti lajmërojnë se në këtë mbledhje janë shqyrtuar raportet e Kryetarëve të Komunave nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2009.

“Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm vlerësuan se ndarja territoriale dhe decentralizimi përfaqësojnë një ndër shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerësuan punën e bërë në mandatin aktual si dhe u analizuan projektet akoma të parealizuara të cilat kanë qenë të parapara në programet e Komunave për këtë mandat” shkruhet në komunikatën e BDI.

Pas diskutimit ato kanë miratuar disa konkulza:

Të intensifikohet bashkëpunimi midis pushtetit qendror dhe atij lokal në mënyrë të përmbylljes së proekteve akoma të parealizuara të cilat do të shqyrtohen në mbledhjen e veçantë të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv dhe atij vendor më 11 gusht 2012;

Pas shqyrtimit të raporteve të funksionarëve në nivel qendror dhe lokal dhe analizës së hollësishme të punës së tyre, Kryesia Qendrore të vlerësojë nevojën për ndryshime eventuale dhe të ndërmerren masa adekuate në përputhje me nevojat dhe pritjet e qytetarëve;

Në bashkëpunim midis pushteteve lokale dhe qendrore, të bëhen përpjekje maksimale për zbatimin e drejtë të ligjit për zhvillim të barabartë rajonal;

Të intensifikohet bashkëpunimi midis pushteteve lokale dhe qendrore edhe drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe financimin e arsimit fillor dhe të mesëm.

Këshilli i Përgjithshëm angazhon përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim në Qeveri që të realizojë marrëveshjet politike në nivel të koalicionit qeverisës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button