Reeker: Do bashkëpunojmë me presidentin Nishani

Zv/ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker komenton zgjedhjen e Bujar Nishanit president i Shqipërisë, duke e cilësuar atë një mik të SHBA-së, ndërsa e fton të vazhdojë bashkëpunimin me ndërkombëtarët. 

“Së pari më lejoni të uroj presidentin e ardhshëm Nishani për zgjedhjen në këtë post. Ai është një mik i Shteteve të Bashkuara. Ne, përmes ambasadës sonë, kemi punuar nga afër me të, kemi pasur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi kur ishte ministër i Drejtësisë dhe më parë i Brendshëm. Ky bashkëpunim shpresojmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në postin e tij të ri, të rëndësishëm”, tha ai. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Reeker e cilëson zgjedhjen e presidentit një rast të humbur për konsensus mes palëve, ndërsa shprehet se një nga përgjegjësitë e rëndësishme të presidentit të ri në Shqipëri është ruajtja e pavarësisë së institucioneve të tjera të vendit, siç janë shërbimet e zbulimit apo prokuroria e përgjithshme. 

“Presidenca ka përgjegjësi të rëndësishme, siç është mbrojtja e pavarësisë së institucioneve në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimi i zbulimit, apo prokuroria e përgjithshme, institucione që bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kryerja e kësaj detyre është e rëndësishme për presidentin dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që ai të punojë nga afër me komunitetin ndërkombëtar. Zgjedhja u krye me vota partiake në raundin e katërt. Në këtë kuptim ishte një rast i humbur për të treguar një konsensus kombëtar dhe aftësinë për të bërë kompromis. Thelbi i demokracisë qëndron tek aftësia për të bërë kompromis. Kjo, mendoj, është ajo që pret BE-ja, që pret populli në Shqipëri. Ne mendojmë se është e rëndësishme që udhëheqësit politikë, nga i gjithë spektri i politikës në Shqipëri, të ri-fokusohen në punën e tyre”, deklaroi Reeker. 

Pas zgjedhjes së presidentit të ri, politikanët shqiptarë duhet t’i rikthehen plotësimit të rekomandimeve të BE-së për të marrë statusin e kandidatit. 

“Shqipëria ka disa çështje kyçe që duhet të realizojë, nëse dëshiron të vazhdojë në rrugën drejt anëtarësisë në BE. Duhet të bëhen kompromise të rëndësishme, që përfshijnë dialogun politik, që përfshijnë një nivel të caktuar debati të qytetëruar, që përfshijnë rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile. Kjo është ajo që duan Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë. Ambasadori Arvizu ia ka bërë këtë më se të qartë, si publikisht edhe privatisht, udhëheqjes shqiptare”, deklaroi Reeker për VOA. /VOA

Lajme të ngjashme

Back to top button