Strugë, së bashku të luftojmë krizat

Asnjë vend nuk mundet i vetëm tu bëjë ballë me sukses fatkeqësive të natyrës dhe katastrofave të tjera por nëse i bashkojnë resurset me fqinjët dhe me vendet e tjera ballafaqimi me fatkeqësitë do të jetë më i menaxhueshëm dhe me më pak pasoja. Janë këto mesazhet që vijnë nga Struga, gjegjësisht nga konferenca për menaxhimin e situatave të krizave në organizim të Këshillit euroatlantik të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Në të marrin pjesë përfaqësues dhe ekspertë të disa vendeve të rajonit.

Lazar Elenovski drejtues i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë potencoi se qëllimi i këtij takimi është të shihen modalitete më efektive për reagimin ndaj fatkeqësive të natyrës dhe katastrofave të tjera.

“Asnjë vend veçmas nuk mund të ballafaqohet i vetëm me krizat e ndryshme dhe katastrofat ,por nëse ne i bashkojmë resurset dhe kapacitet do të mund të jemi ne gjendje më mirë të ballafaqohemi me to” tha Elenoski.

Ndërkaq, Arjan Starova përfaqësues i Këshillit Euro-Atlantik të Shqipërisë potencon se qëllimi i konferencës është të ketë një kundërpërgjigje më të mirë sidomos në rajonin e Ballkanit në raste të tilla.

“Konferenca synon të eksplorojë dhe të zbulojë rrugët më të mira të kooperimit ndërmjet vendeve me qëllim që përgjigjet të jenë më të mira dhe efikase ndaj zjarreve ,tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera që mund të ndodhin, të cilat do të përballohen me kosto më të vogël nëse reagimi është i përbashkët” tha Starova.

Ai thekson se pjesëmarrësit e konferencës janë në nivel ekspertesh dhe të niveleve politike si dhe ka përfaqësues të organizatave joqeveritare.

“Deri tani diskutimet kanë shkuar shumë mirë dhe janë hedhur ide të pranueshme. Në fund të kësaj konference do të ketë një raport të detajuar i cili do t’i dërgohet jo vetëm qeverive të rajonit por edhe NATO-s” përfundon Starova. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button