KE dënon incidentin që shkaktoi Shesheli
Komisioni Evropian kritikoi të enjten një incident në Serbi, në të cilin ligjvënësi ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, ka përdhosur flamurin e Kroacisë brenda Parlamentit të Serbisë, transmeton REL.
Incidenti i së mëkurës ka bërë që delegacioni kroat të ndërpriste në gjysmë vizitën në Serbi, e cila shihej si përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Ajo që pamë dje nuk i përket një institucioni demokratik”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.
“Është në fakt mungesë respekti për një institucion demokratik që përfaqëson qytetarët dhe të gjithë ata që punojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal”, tha ai.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE.
Shesheli thuhet se e ka hedhur flamurin kroat në tokë dhe se ka shkelur mbi të.
Zyrtarët serbë, përfshirë kryeministren Ana Brnabiq dhe kryetaren e parlamentit, Maja Gojkoviq, e dënuan incidentin.