Greqia me qeveri të re, emri në ofsajd

Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras mori sot nga presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, mandatin për krijimin e qeverisë së re pasi që partia e tij u shpall zyrtarisht fituese e zgjedhjeve të 17 qershorit. 

Përmbyllja e procesit zgjedhor në Greqi dhe formimi i Qeverisë së re, do të duhej të ishte një sinjal i mirë për Qeverinë e Maqedonisë pasi që mund të shpresohet për një zgjidhje të kontestit disa dekadësh të emrit. Madje përfaqësues të koalicionit qeveritar VMRO-BDI në deklaratat e tyre shprehen se po presin që Greqia të stabilizohet dhe më pas të iniciojnë takime me drejtuesit e ri të fqiut jugor.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Qeveria e Maqedonisë është në pritje të formimit të Qeverisë stabile në Greqi që të vijojë përpjekjet për zgjidhje të shpejtë”, tha Ali Ahmeti, kryetari partisë shqiptare në pushtet ditë më parë në shënimin e dhjetëvjetorit të kësaj partie.

Mirëpo, njohësit e situatës nuk mendojnë se do të ketë ndonjë lëvizje pozitive në këtë aspekt sepse Greqisë do ti duhet një kohë të gjatë për tu stabilizuar ndërsa kryeministri Gruevski nuk është i interesuar për zgjidhje.

“Prioriteti i forcave (partive që duhet të formojnë qeveri) do të jetë “shpëtimi i Greqisë dhe nxjerrja nga “kaosi” i shkaktuar. Problematika e emrit ne kampanjën e fundit zgjedhore as që është përmendur ndërsa  prioritet do të jetë nxjerrja nga kriza, pra kjo problematikë në qeverisjen greke do të vazhdojë edhe më tej. Edhe më parë lidershipi grek ka dhënë shenja se problemi i emrit nuk është problem grek por është problem i Maqedonisë” thotë Bashkim Bakiu nga Instituti për Hulumtim të Politikave dhe Qeverisjes së mirë (IHPQM). 

Sipas tij, nëse analizohen deklaratat e kryeministrit Gruevski të cilat janë të ashpra ndaj NATOS dhe duke fajësuar të tjerët rreth problemit që e ka Maqedonia është e qartë se ai nuk do të ndërmerr ndonjë problem konkret  për të zgjidhur kontestin.

“Gruevski do të manifestojë orvatje për të zgjidhur problemin mirëpo në realitet ajo që do të ndodh është manifestim i politikave populiste. Në këto vitet e fundit lidershipi (sidomos ai maqedonas) ka përdor taktikën politike të  qëndrimeve, të qëndrimit të mos ndryshimit të emrit që realisht është politike populiste dhe jo politikën e interesit që do të thotë zgjidhjen e kontestit dhe debllokimit të perspektivës euro-integruese” tha Bakiu.

Për profesorin universitar Mersel Billali, qeveria e re Greke do të formohet me legjitimitet dhe kapacitet të plotë, atëherë Qeveria nuk do të ketë më arsyetim se pala greke ka krizë. Në këtë kontekst atëherë do del “diçka tjetër” që do të pengojë arritjen e kompromisit. 

“Thellë besoj se Gruevski do të prodhojë diçka të re me qëllim që t’i ike zgjidhjes së problemit. Andaj pjesa shqiptare e Qeverisë nuk ka më asnjë mbështetje në konstatimin se “problemi nuk qenka aq i lehtë”… Ajo duhet energjetikisht këtë problem ta imponojë. Përndryshe, serish do të vazhdojmë te jemi peng i rejtingut të VMRO-së dhe Gruevskit” tha Bilalli.

Nga ana tjetër, për ish ambasadorin Risto Nikovski, zgjedhja e Samaras-it në krye të Greqisë është opsioni më i keq për Qeverinë, e cila sipas tij, po bën çdo përpjekje për zgjidhjen e kontestit. Ai madje thotë se as Greqia si ka fajet sepse Amerika është faktori kyç në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Interesimi ynë për zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes është real, mirëpo nuk ka me kë të bisedohet në Athinë. Por nuk duhet harruar se çelësi i problemit qëndron në Uashtingon, ato e menaxhojnë problemin dhe insistojnë me këmbëngulësi të na ri-pagëzojë. Megjithatë, Greqia vështirë se do të formojë Qeveri edhe pas këtyre zgjedhjeve, por edhe nëse formon ajo vështirë do të funksionojë. Andaj nuk duhet të kemi dilema se derisa ka krizë në Greqi problemi i emrit nuk do të zgjidhet” thotë Nikovski. 

Maqedonia dhe Greqia kanë kontest dydekadësh për emrin kushtetues të Maqedonisë. Greqia nuk pranon që vendi të mbajë emrin Maqedoni sepse sipas tyre po vjedh historinë greke. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button