Netanyahu paralajmëron Iranin të mos testojë vendosmërinë e Izraelit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin të mos nis një sulm hakmarrës kundër Izraelit, pasi Teherani akuzoi Tel Avivin për kryerjen e një sulmi ajror në një bazë ajrore siriane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Disa persona nga personeli ushtarak iranian thuhet se u vranë të dielën në një sulm ajror në bazën ajrore Tiyas në provincën perëndimore Homs.
Përderisa Rusia, Irani dhe Siria kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e sulmit para agimit, Tel Aviv ka refuzuar të komentojë.
Sipas kanalit libanez të lajmeve Al Mayadeen, dje një zyrtar iranian tha se sulmi ajror “nuk do të mbetej pa përgjigje”.
“Unë kam një mesazh drejtuar sundimtarëve të Iranit. Mos testoni vendosmërinë e Izraelit”, ka shktuar Netanyahu në llogarinë e tij në Twitter.
Zyrtarët e ushtrisë izraelite thanë se Izraeli do të rrëzonte regjimin e Bashar al-Asadit nëse Irani sulmon Izraelin përmes Sirisë.
“Nëse Irani vepron kundër Sirisë nga territori sirian, presidenti sirian Asad dhe regjimi i tij do të jenë ata që paguajnë çmimin”, thanë zyrtarët.
“Regjimi i Asadit do të zhduket nga harta dhe bota nëse iranianët sulmojnë Izraelin nga territori sirian”, shtuan ata.
Gazeta izraelite “Haaretz” dje shkroi se ushtria izraelite ka vendosur forcat e saj përgjatë kufirit të saj verior në alarmin e lartë pas kërcënimit iranian.
Kabineti i sigurisë i Izraelit është planifikuar të mblidhet për të diskutuar situatën pranë kufirit verior të Izraelit.
Për dekada me radhë, marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Iranit janë karakterizuar nga një armiqësi e thellë.
Përderisa Teherani e sheh Izraelin si armikun më të madh, shteti hebre këmbëngul se Irani duhet të pengohet në zhvillimin e armëve bërthamore.