Suspendohen 3 gardianët që rrahën shqiptarë

Tre gardianët e burgut të Manastirit që kishin rrahur dy shqiptarët, Fejzi dhe Haki Haziri, janë suspenduar nga puna. Familjarët e dy të akuzuarve në rastin “Monstra” kishin deklaruar se të afërmit e tyre janë keqtrajtuar brenda burgut, ndërsa menjëherë kishin reaguar te avokati i popullit dhe ministri i drejtësisë. 

Ministri i drejtësisë, Blerim Bexheti kishte theksuar se do të marrin dënimin e merituar ata të cilët kishin shkaktuar dhunë ndaj të paraburgosurve shqiptarë, ndërsa sot është konstatuar se kishin qenë tre gardianë të cilët kishin rrahur shqiptarët. 

Për këtë arsye ata janë suspenduar nga puna. Kjo është hera e parë të ndodhë që për shkak të keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve të suspendohen gardianët e burgjeve. 

“Suspendimi është bërë me qëllim që të mundësohet në mënyrë të papenguar të vërtetohet gjendja faktike si dhe mbledhja e dëshmive për vërtetimin e përgjegjësisë së tre personave”, thuhet në komunikatën e burgut të Manastirit. 

Të gjitha deklarata e partisë shqiptare në pushtet, BDI deri më tani kishin theksuar se nuk do të lejohet të ketë procese të montuara dhe secili do të bartë përgjegjësinë për detyrën që ka.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button