Zbardhet aksidenti, ekspertët: Frenat dolën jashtë funksionit

Nxehja e tambureve të frenave dyshohet se ka luajtur rol kryesor në tragjedinë e 21 majit, ku kthesa e fundit e aksit Vuno-Himarë u mori jetën 13 personave mes tyre 11 studenteve të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ekspertët e Prokurorisë të cilët që prej tre ditësh ndodhen në vendngjarje në Qafën e Vishës, dyshojnë se shkak kryesor i aksidentit mund të jetë bërë nxehja e frenave.

Edhe pse hetimet rreth aksidentit tragjik vijojnë, nga gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë e para, duket se ka pasur tejnxehje të frenave të autobusit, të cilat në momentin kur mjeti ka qenë në zbritje dhe në kthesë kanë arritur në një stad ku nuk mund të funksiononin në parametrat normalë.

25 ekspertët e mbledhur nga Prokuroria dyshojnë se gjatë gjithë itinerarit të ekspeditës kryesisht në ngjitjen e Qafës së Llogarasë mbajtja e frenave në cdo kthesë ka ndikuar negativisht në nxehjen e ferrotave. Kjo ka sjellë si pasojë zvogëlimin deri në minimum të ferrotave dhe ka bërë të pamundur frenimin dhe uljen e shpejtësisë së autobusit.

Por ndikim të konsiderueshëm ka pasur edhe pjerrësia e segmentit rrugor. Deri më tani sipas ekspertëve të prokurorisë koeficenti i fërkimit të gomave me asfaltin për automjetet e transportit publik apo ato të rënda është 0.4 përqind dhe jo si në rastin e autoveturave të cilat kapjen e gomës me asfaltin e kanë deri në kuotat 0.7 përqind.

Kjo do të thotë që frenimi i mjeteve të vogla është më efikas sesa ai i autobusëve apo automjeteve të rënda. Ndërkaq, nxehja e ferrotave e ka ulur kapjen e gomave në asfalt në 0.3 përqind. Të dhënat teknike të frenimit, nxehja e ferrotave por dhe pjerrësia e segmentit sëbashku me tangenten e kthesës; e kanë bërë mjaft të vështirë ndaljen e automjetit.

Burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se autobuzi lëvizte brenda normave të shpejtësisë. Duket se tejnxehja e tambureve i ka dhënë idenë shoferit Pëllumb Çela se mjeti nuk po frenonte fare. Në këto kushte, duket se shoferi Çela ka tentuar ta rikthejë në normalitet lëvizjen e automjetit, duke u fërkuar me faqen e shkëmbit.

Por edhe ky veprim – i konsideruar logjik nga ekspertët – ka rezultuar i pasukseshme, pasi koha ka qenë mjaft e kufizuar sepse mënjehërë shoferi është gjendut përballë kthesës pasardhëse. Këtu koha e manovrimit ka qenë zero, ndërsa përplasja pingule me bordurën anësore në krahun e majtë të rrugës ka bërë që autobuzi të bjerë në greminë nga një lartësi prej 60 metrash.

Lajme të ngjashme

Back to top button