Me shkas: Paqja e Zotit

“Kush e mbytë një njeri pa të drejtë, pa pasur mbytur ai ndonjë tjetër dhe bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush bëhet shkaktar që ai të jetë gjallë, është sikur i ka shpëtuar të gjithë njerëzit…”(El Maide:32) 

Sa herë që ndodhë një vrasje në mesin tonë dhe një jetë njeriu ndërpritet dhunshëm, përjetoj një dhembje të veçantë sepse kujtoj që  nga druri i ekzistencës tonë po këputet një gjeth i cili nuk e kishte kohën për të rënë. Mendoj kështu sepse jeta dhe vlera e sajë është e mbrojtur me të gjitha rregullat e Islamit. Mendoj kështu sepse kam bindjen që të drejtën për të marrë jetën e ka ekskluzivisht Krijuesi i jetës, andaj Islami ndalon në mënyrë decide të merret pa të drejtë jeta e dikujt.

Ajeti 32 i sures El Maide të cilin e kam vënë për moto të këtij shkrimi e sqaron në mënyrën më të mirë qëndrimin e besimit tonë ndaj dhunës dhe ndaj vrasjes në përgjithësi. Por, unë po i përkujtoj njerëzit tanë  edhe për një ajet nga po e njëjta sure që ka të bën me vrasjen e parë që ka ndodhur në mes të njerëzve. Të gjithë e dimë se si e kishte vrarë Kabili vëllain e vetë Habilin, por sikur po i harrojmë fjalët që Habili ia tha vëllait të vetë vrasës: “Dhe, nëse ti e zgjatë te unë dorën për të më mbytur, unë nuk e zgjas te ti dorën time për të të mbytur ty; unë i frikësohem Allahut, Zotit të botrave” (El Maide: 28).

Nuk ka dyshim se fjalët e Habilit të vrarë, në fakt kanë  të bëjnë me të gjithë njerëzit sepse të gjithë njerëzit janë bijtë e Ademit dhe ata mund të konsiderohen vëllezër. E porositë dhe urdhrat e Kur ‘anit janë porosi dhe urdhra të Allahut Fuqiplotë, pra janë të përhershme, vlejnë për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzit, vlejnë edhe për ne që po jetojmë sot e këtu dhe do vlejnë edhe për ata që do vijnë pas.

Për fat të keq, në mesin tonë vrasjet sikur po shtohen dhe shumë shpesh jemi dëshmitarë të tragjedive të cilat vetë po i shkaktojmë. Me këtë rast po më kujtohet aksioni i madh i faljes së gjaqeve që u zhvillua në Kosovë aty kah fundi i regjimit komunist, aksion ky që menduam se reflektoi fuqishëm në të gjitha trojet tona. Atëbotë dëgjuam rrëfime e dhembje të tmerrshme nga njerëzit që falnin gjaqet dhe apelonin që të gjithë ne t’i thërrasim mendjes e të ndërpresim vrasjet. Sot, tridhjetë vjet më vonë, me trishtim mund të konstatojmë se në këtë interval kohor në Shqipëri ka pasur mbi 5000 vrasje, që do të thotë se dhunshëm  është zhdukur nga faqja e dheut popullata e tërë e një fshati të madh ose e një qyteze të vogël. Në Kosovë, vrasjet janë shumëfishuar dhe po shënojnë rritje. Në Maqedoni janë vrarë mes vete shumë më tepër shqiptarë se sa kanë vdekur gjatë luftës në vitin 2001.

Në këtë vazhdë, s’ka dyshim se edhe e vrasja e fundit që ndodhi mes neve, në Reçicë, e që e tronditi opinionin, paraqet një alarm shtesë për vetëdijen tonë. U vra një njeri, një vëlla i joni, fëmijë mbetën pa baba, iku i biri, bashkëshorti, vëllai i dikujt dhe krijoi plagë në zemrat e tyre. Një hije e rëndë ra edhe mbi dorasin që do duhet të ballafaqohet me ligjin, edhe familja e tij do vuajë. Siç ndodhë rëndomtë ndër ne, akoma pa u tha gjaku i të vrarit, vërshuan spekulimet nga më të ndryshmet që vetëm e rënduan atmosferën dhe ambientin e trishte që e krijojnë tragjedi të këtilla, bilës tërë ngjarjes iu dha edhe konotacion politik . Sidoqoftë, mbetet fakti se opinioni nuk i di as rrethanat e as arsyet e sakta të asaj që ndodhi në Reçicë, por mbetet edhe fakti se asnjë rivalitet, asnjë konkurrencë dhe asnjë përcaktim politik nuk ia vlejnë as përafërsisht sa një jetë njeriu. Të gjitha ato treten, mbetet vetëm dhembja për një jetë të ndërprerë përpara kohe.

Dhe, çfarë duhet të bëjmë ne të gjithë, si duhet të veprojmë për të parandaluar këto ngjarje që po na godasin aq rëndë?

Ka ardhur koha që ne njerëzit, zëvendësuesit e Zotit mbi Tokë, të bëjmë diçka në drejtim të sundimit të Paqes që e urdhëron Krijuesi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button