Moska: Izraeli ndërmori sulme ajrore në bazën ajrore të regjimit në Siri

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se avionët izraelitë kanë gjuajtur tetë raketa drejt një baze ajrore në provincën Homs të Sirisë, pesë prej të cilave janë ndërprerë nga forcat ajrore të regjimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në datën 9 prill, nga ora 03:25 deri në 03:53 sipas orës së Moskës, dy avionë F-15 të forcave ajrore izraelite, pa hyrë në hapësirën ajrore siriane, nga territori i Libanit, gjuajtën tetë raketa në bazën ajrore Tiyas. Tre raketa arritën në pjesën perëndimore të aerodromit, pesë u shkatërruan nga forcat ajrore të mbrojtjes të Sirisë”, tha ministria ruse në një deklaratë me shkrim.

Më herët, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut pretendoi se sulmet ajrore vranë 14 persona, përfshirë qytetarë iranianë në bazën ushtarake pranë qytetit Homs në Siri.

Edhe regjimi sirian po ashtu ka konfirmuar se një bazë ajrore u godit nga një sulm me raketa.

Sipas agjencisë së lajmeve të regjimit (SANA), bombardimi shënjestroi bazën ajrore “T4” në provincën qendrore Homs në 4:00 të mëngjesit, sipas orës lokale. Agjencia tha se bombardimet vranë disa persona dhe plagosën disa të tjerë, por nuk dha numër të saktë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button