Fuere: Zgjidhja e emrit nuk duhet të rrezikojë identitetin maqedonas, e as të dëmtojë trashëgiminë greke

Është e qartë se koha për arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë rreth dallimeve për emrin është e shkurtë. Presim që në qershor Komisioni Evropian ta konfirmojë rekomandimin e  fillimit të bisedimeve. Nëse kontesti i emrit deri atëherë nuk zgjidhet, ndërsa dialogu për emrin përparon mendoj se është e mundshme që Greqia ta pranojë Maqedoninë të fillojë negociata me Bashkimin Evrpoian, ndërsa paralelisht të rrjedhin bisedimet për çështjen e emrit. Greqia çdo moment si anëtare e BE-së ka forcë që ta bllokojë Maqedoninë, deklaroi Ervan Fuere, ish-ambasador i BE-së në Maqedoni në emisionin Faktor Magazine të TV 24, transmeton Portalb.mk.

Sipas ambasadorit, gjatë çdo bisedimi duhet të ketë lëshime nga të dy shtetet, zgjidhja nuk mund të jetë njëanëshe. Procesi i ndërmjetësimit të OKB-së është proces që i mbulon bisedimet dhe duhet të mbetet ashtu, është proces neutral në mendjen se ndërmjetësuesi është këtu që t’i përafrojë të dy palët, në të njëjtën kohë është e qartë se BE nuk është neutrale në këtë sepse Greqia është anëtare e saj, kështu që rëndësia nuk është e njëjtë dhe në atë kontest shpresoj se Greqia e kupton përgjegjësinë e saj se duhet të tregojë shembull me Maqedoninë se ka përgjegjësi, si vende anëtare të gjejë mënyrë dhe  zgjidhje që do ta ndërtojë besimin në rajon dhe do të kontriubojë për përforcimin e besimit dhe do të shërbejë si shembull për kontestet tjera bilaterale.

“Greqia ka përgjegjësi të madhe dhe shpresoj se e kupton dhe se vendimi do të jetë respektim i plotë i identitetit maqedonas, kultura dhe tashëgimia greke nuk duhet të pësojnë dëm. Shumë është e rëndësishme që zgjidhja përfundimtare e emrit  me të vërtetë do t’i respektojë të drejtat e të dy palëve”, tha Fuere.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button