Ministri grek Koxias me 12 prill do të takohet me homologun e tij Nikolla Dimitrov në Ohër

Të enjten me 12 prill në Ohër do të mbahet takimi i radhës i shefave të diplomacisë maqedonase dhe greke, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, sipas informatave të mediave greke, transmeton Portalb.mk.

Siç paralajmëroi korrespodenti i MIA-s nga Athina, sipas informatave të njëjta ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë do të ketë turne ballkanike. Së pari do ta vizitojë Beogradin, pastaj do të arrijë në Ohër dhe në fund do ta vizitojë Prishtinën.

Ky do të jetë takimi i tretë i Nikolla Dimitrovit dhe Nikos Koxxiasit për më pak se një muaj.

Siç paralajmëroi MIA të shtunën, sipas mediave greke, nëse ka avancim në bisedime atëherë nuk përjashtohet mundësia të ketë takim mes kryeministrave të të dy vendeve.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Ku po shkon Maqedonia: çështja e emrit, çështjet delikate ngelen për tu negociuar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button