Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë e fituan vendin e parë në Kongresin e Shkencave të Mjekësisë – KISCOMS 2012

 Në Kongresin e tretë me radhë të Organizatës për shëndetësi, kulturë dhe shkencë – KISCOMS 2012, i cili ka edhe karakter garues, që u organizua në javën e dytë të muajit maj, në organizim të KOSKOMS dhe Parlamentit Studentor të USHT-së, dhe nën patronatin e Rektorit të USHT-së,  Prof. dr. Agron Reka dhe Zëvendëskryeministrit të Republikës së Maqedonisë, z.Musa Xhaferi, në qytetin e Strugës, studentët nga Fakulteti  i Shkencave të Mjekësisë i USHT-së, shënuan rezultate mjaft të mira.

Në kuadër të këtij Kongresi pati ligjërata të shumta akademike nga profesorë dhe ligjërues të fakulteteve të mjekësisë, në Tetovë, Shkup, Prishtinë, Tiranë, si dhe profesorë e mjekë me renome ndërkombëtare në lëmi të ndryshme të mjekësisë.

Gjatë këtij Kongresi u zhvilluan edhe punëtori të ndryshme dhe sesione, qëllimi i të cilave ishte promovimi i teknologjive të reja në praktikën mjekësore, si dhe prezantime nga studentë të Maqedonisë dhe nga vendet ballkanike e evropiane në formë të prezantimeve gojore apo posterë.

Pasi Kongresi i KISKOMS-it ka edhe karakter garues, vlen të theksohet se punim më i mirë u shpall punimi i studentëve nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i USHT-së, me titull: ”Prevalenca e demencave te grupmoshat 50-80 vjeç ” të studentëve, Vegim Zhaku, Hazir Aziri dhe Bleron Kolonja, me mentor Doc. dr. Arben Taravari. Gjatë Kongresit u prezantuan edhe shumë punime të tjera shkencore të studentëve, të cilët morën vlerësim mjaft të lartë nga Juria profesionale, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit morën certifikata me vlerësim në poenë për pjesëmarrje aktive apo pasive.

Suksesi i studentëve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore të USHT-së paraqet edhe një sukses të radhës, gjë që shfaq një indikator pozitiv se studentët tanë nëpërmjet aktiviteteve të tyre shkencore e profesionale tregojnë se janë në nivelet më të larta të mundshme, për të cilën flasin edhe çmimet e shumta të fituara në kongrese dhe simpoziume shkencore.

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, në Kongresin e tretë me radhë të KISKOMS-it, morën pjesë aktive edhe në organizimin e tij, duke qenë anëtarë të Këshillit organizativ të Kongresit, si për shembull, Kryetari i Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave Mjekësore – Naim Skenderi, Mirlinda Beqiri, Dehar Rasimi, Lulijeta Ismaili, Arijeta Shabani, Muhamedin Rushiti, Pakize Fetahi, si dhe studentë të tjerë të cilët morën pjesë me punime shkencore të prezantuara në formë gojore apo poster, të mbështetur vazhdimisht nga Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani dhe Dekani i FSHM-së, Doc.dr. Nasir Bexheti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button