Rusia ndërhyn në tensionet mes Kosovës e Serbisë

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën një ditë pasi një politikan serb u arrestua në Kosovë dhe më pas u dëbua në Serbi, dhe tani në këtë mosmarrëveshje ka hyrë Rusia kurse Bashkimi Evropian po provon të shmang ndonjë kacafytje të mëtejme.

Serbët e Kosovës vendosën bllokada në rrugë në qytetin e ndarë të Mitrovicës për të monitoruar qasjen në territorin e dominuar nga serbët, dhe politikanët serbë u tërhoqën nga qeveria e Kosovës dhe kërcënuan me formimin e administratave të tyre lokale përgjatë Kosovës ku jeton pakica serbe, raporton “The Washington Post”.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bëri një udhëtim urgjent në Beograd për të biseduar me presidentin e Serbisë në tentim për të parandaluar krizën e thellë. Zyra e presidentit Aleksandar Vuçiq në një deklaratë për media tha se Mogherini është pajtuar për të gjetur “mënyra të reja” për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë paqësisht, transmeton Koha.net.

Mogherini nuk komentoi menjëherë, por deklarata e citonte atë të ketë thënë se “ajo çfarë ndodhi dje nuk duhet të përsëritet”.

“Bashkimi Evropian pret që paqja të ruhet me qetësi e përmbajtje”, ka thënë Mogherini sipas deklaratës.

Në ndërkohë, ministria e Jashtme ruse lëshoi një deklaratë me fjalë të ashpra, duke akuzuar BE-në dhe SHBA-në se po dëshirojnë “të shtypin ashpër” përpjekjet e serbëve të Kosovës për të “ruajtur interesat e tyre legjitime”.

“Është krejtësisht e qartë se kosovarët (shqiptarët e Kosovës) gjithmonë ndjekin këshillat e patronëve të tyre amerikanë e evropianë, të cilët shkelin ligjin ndërkombëtar dhe veprojnë në bazë të arbitraritetit”, ka thënë MPJ ruse në një deklaratë të përcjellë nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.

Derisa Rusia mbështet pretendimet e Serbisë për ish-provincën e saj, SHBA dhe shumica e shteteve evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës një dekadë më parë. Rusia ka provuar të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan kryesisht përmes aleatit të saj tradicional sllav, Serbisë.

Këto zhvillime erdhën një ditë pasi Marko Gjuriq, shef i zyrës qeveritare serbe për Kosovën, u ndalua përkohësisht në qytetin e ndarë të Mitrovicës sepse hyri në vend pa lejen zyrtare të Kosovës. Policia e Kosovës të hënën përdori gaz lotsjellës dhe granata tronditëse për të shpërndarë protestuesit serbë në Mitrovicë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button