RDK: BDI të mos i hedh sy popullit duke u fshehur pas ndërkombëtarëve

Ftesa e zyrtarëve të BDI-së që SHBA, BE, NATO dhe OSBE të monitorojnë procesin për zbardhjen e rastit të fundit me të arrestuarit shqiptarë, janë vetëm shpëlarje goje për të mashtruar opinionin publik dhe tentim për ikje nga përgjegjësia. Kështu është shprehur sot partia e Rufi Osmanit, Rilindja Demokratike Kombëtare pas deklaratave të Ali Ahmetit se ka kërkuar nga OSBE të ndjek rastin e të arrestuarve në aksionin Monstrum. 

“Ftesa e çuditshme e BDI-së për vëzhgimin e procesit gjyqësor të të arrestuarve të fundit nga OSBE-ja, është një shou politik i cili të vetmin qëllim ka shmangien e përgjegjësisë së partisë së tij në pushtet para opinionit. I kujtojmë krerëve të BDI-së se OSBE edhe pa ftesën e tyre i përcjell në vazhdimësi zhvillimet politike në Maqedoni, duke përfshirë edhe vëzhgimin e proceseve gjyqësore me rëndësi por, siç kanë treguar edhe proceset e tjera të vëzhguara nga OSBE: ‘Vreshtat e Rashtakut’, ‘Sopoti’ dhe ‘Brodeci’, roli i OSBE-së aty është vetëm ai i një vëzhguesi të thjeshtë. Së këndejmi ftesat e BDI-së janë vetëm shpëlarje goje për të mashtruar opinionin publik dhe tentim për ikje nga përgjegjësia, sepse sistemi juridik në Maqedoni si edhe angazhimet e OSBE-së nuk nënkuptojnë përfshirjeb e saj në procedurat hetimore apo gjyqësore e as në vendimmarrjet e gjykatave “shkruhet në reagimin e RDK-së.

RDK i kërkon partisë shqiptare pjesëmarrëse në pushtet  që të lënë anash politikën e shpëlarjes së gojës para opinionit dhe të sigurojnë një hetim të pavarur lidhur me ekzekutimin në pritë të Harun Aliut, një prej themeluesve të UÇK-së.

“RDK gjithashtu kërkon dhënien fund të deklaratave qesharake të zyrtarëve të BDI-së, si ajo e ministrit të drejtësisë se: “institucionet nuk do të lejojnë që të shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut, qoftë edhe të paraburgosurve” ndërkohë që të paraburgosurit tashmë ishin rrahur si mos më keq nga gardianët! ” shkruhet në reagimin e RDK-së.

Nga kjo parti shprehen se janë të habitur me konkluzionet e fundit të partisë shqiptare në pushtet, e cila sipas tyre mburret me dështimet e pafundta dhe mosmbylljen e pothuajse të asnjë çështje me rëndësi për shqiptarët.

“Mos-serioziteti i partisë që pretendon se ka dalë nga lufta shihet më së miri në premtimin e pafund të rrejshëm, të shoqëruar me paaftësinë mbi dhjetëvjeçare të saj, për zgjidhjen e statusit të ish-luftëtarëve të po asaj lufte” shkruhet në reagimin e RDK-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button