“Drejtësi për Almirin” reagon ndaj iniciativës së BDI-së për formim të Komisionit Anketues!
Në lidhje me iniciativën e grupit parlamentar të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim për formim të Komisionit Anketues për rastin e Almir Aliut, ka reaguar Iniciativa Qytetare “Drejtësi për Almirin” duke e vlerësuar të njëjtin si zvarritës të procesit të zbardhjes së të vërtetës dhe vonim të së drejtës, njofton Portalb.mk.
“Nisma “Drejtësi për Almirin” vlerëson se formimi i një Komisioni Anketues për rastin “Almiri”, nuk është garancë për epilog të drejtë të rastit, përkundrazi i njëjti vetëm do të zvarris zbardhjen e të vërtetës e me këtë do të pengojë drejtësinë. Komision i ngjashëm u formua edhe për rastin “Sopoti”, drejtësinë e vonuar për të cilin nuk e sollën as Komisioni në fjalë e as Prokuroria dhe gjyqësia e rregullt, por Prokuroria Publike Speciale”, thonë më tej nga kjo inicitivë.
Nga kjo inciativë qytetare thonë se kërkesa e tyre ishte e qartë- shkarkim i prokurorit publik, Lubomir Joveski.
“Kërkesat tona janë të qarta. Kërkojmë përgjegjësi për personat e emëruar në prokurori dhe gjykata. Nga Kuvendi, në vend të nismave për formim të komisioneve, kërkojmë shkarkimin e prokurorit publik të RM-së, Lubomir Jovevski, dhe të emërohet prokuror publik i cili do ta kryejë detyrën në korniza të Kushtetutës dhe ligjeve dhe do të zbardhë rastin e Almirit si detyrë e parë. Pa përgjegjësi nuk ka drejtësi”, thonë nga IQ “Drejtësi për Almirin”.
Përndryshe, kjo inciativë disa herë me radhë ka protestuar për rikualifikimin e rastit të vdekjes së katërvjeçarit nga Kumanova, Almir Aliut.
Në protestën që u mbajt më 21 mars, kjo inciativë kërkoi:
- Kërkojmë që procedura gjyqësore duhet që të nis nga fillimi dhe e njëjta të udhëhiqet nga prokurorë, profesionistë dhe të pa korruptuar, edhe atë jashtë Kumanovës, të cilët do të vendosin në mënyrë profesionale, të drejtë, të ndershme dhe të paanshme.
- Kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë bartësit e funksioneve në padrejtësinë ndaj Almirit:
– Përgjegjësi nga prof. dr. Branisllav Stefanovski, neuropsikiatër dhe asistentes dr. Zoja Babinkovska për kryerjen e ekspertizës në kundërshtim me ligjin për ekspertizë.
– Kërkojmë shkarkim të gjykatëses Maja Denkovska, për kryerje jo-profesionale të detyrës. Denkovska qëllimisht nuk i pranoi dëshmitë dhe dëshmitarët kyç të cilët e konfirmojnë qëllimin për vrasje nga i akuzuari.
– Kërkojmë shkarkim i u.d. prokurores publike Teuta Bediu Ramadani, për mospranimin e kërkesës për largimin e Prokurores Kusigerska, gjegjësisht, pengimin e drejtësisë për Almirin.
Kërkojmë shkarkimin e të gjithë prokurorëve publikë të Kolegjiumit të Prokurorisë Publike të R.M.
– Aco Kolevski
– Bashkim Besimi
– Bodan Llazarevski
– Ferat Elezi
– Ismail Dardhishta
– Liljana Spasovska
– Anita Topallovska – Isajllovska
– Xhelal Bajrami
– Voislav Gavrovski
– Kërkojmë shkarkim urgjent të prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë, Lubomir Jovevski, për arsye se merr vendime identike si Marko Zvërlevski.
– Kërkojmë përgjegjësi nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe kryeministrit Zoran Zaev, pasi që ata jo vetëm që nuk i realizuan reformat e paralajmëruara në gjyqësi, por edhe lejuan që drejtësinë ta ndajnë gjykatësit dhe prokurorët e njëjtë, të korruptuar, jo-profesionistë dhe të njëanshëm të cilët e vranë Almirin përsëri.
– Kërkojmë DREJTËSI për Almirin
Ndryshe më 15 mars, Gjykata Themelore e Kumanovës e ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe e ka rikualifikuar lëndën. Sipas akuzës, vrasësi i Almirit, Boban Iliq, tani do të ndiqet për aksident dhe jo për vrasje, gjë e cila revoltoi qytetarët të cilët kanë dalë disa herë në protesta. Sipas prokurores përgjegjëse, Suzana Kusigerska rikualifikimi është bërë sepse në fillim kur është ngritur aktakuza, dëshmitë nga ekspertiza ligjore janë vonuar duke thënë gjithashtu se i akuzuari Boban Iliq ka kryer veprën penale në aksident trafiku duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve në gjendje të afektit emocional, apo pa paramendim. Pas mbarimit të seancës, vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ua ka treguar gishtin e mesëm familjarëve të Almirit.
Ndaj Boban Iliq nuk është caktuar asnjëra nga masat e rreptësisë dhe është lënë në liri, i cili pasi doli nga Burgu i Shutkës, kërcënoi gazetarin e TV21 dhe ledhatoi Mercedesin, me të cilin e kishte kryer aktin e vrasjes.
- LEXO: Rasti i Almirit bëhet punë e Ixhet Memetit: të analizohet edhe njëherë me kokë të ftohtë
- LEXO: Sjellja e Boban Iliq vrau edhe njëherë Almirin e vogël: ai nuk mund të gjykohet më “për vrasje”
- LEXO: Nëna e Almirit: unë doja drejtësi për birin, e ju e vratë përsëri atë (VIDEO)
- LEXO: Këto janë kërkesat nga protesta e sotme për Almirin
- LEXO: Jep dorëheqje ministri i drejtësisë, Bilen Saliji, shkak rasti i Almirit (VIDEO)
- LEXO: Maqedoni, Gjykata e Kumanovës ka bërë shkelje të ligjit gjatë rikualifikimit të rastit të Almirit