E drejta e jetës

E drejta e jetës është e drejta fondamentale e njeriut, e njohur me dokumente historike të cilat datojnë prej shekuj me parë e që janë baza e civilizimit njerëzor. Jeta e njeriut është e paprekshme edhe sipas nenit 10 të Kushtetutës së RM. E drejta e jetës përcaktohet si e drejta e pare dhe themelore edhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e cila është ratifikuar në Kuvendin tonë dhe si e tillë është pjesë e legjislacionit vendas. Shtetet nënshkruese të kësaj Konvente, duke përfshirë edhe Maqedoninë, kanë marrë obligim që të garantojnë të drejtën e jetës për të gjithë që jetojnë ose gjenden në territorin e tyre. E drejta e jetës nuk është vetëm një e drejtë formale që njeriu e ka, përkundrazi, ajo është e drejta esenciale dhe absolute e tij. Atë që Krijuesi e ka dhënë, njeriu nuk guxon ta marrë, eshë kaq e thjeshtë. Ndërsa shteti është garantuesi kryesor i kësaj të drejte themelore. Kjo garancë nënkupton që shteti do të bëjë çmos për të mos lejuar cenimin e jetës së dikujt, ndërsa kur një cënim i tillë megjithatë ndodh, dhe dikujt i meret jeta, shteti dhe institucionet e tij kanë obligim ligjor, kushtetues dhe ndërkombëtar të ndjekin në mënyrë adekuate dhe efikase kryerësin dhe ta dënojnë atë me dënimin e merituar. Ky nuk është një obligim fakultativ ose deklarativ i shtetit, ky është obligim absolut i tij, dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në shumë raste ka gjetur se shtetet nuk e kanë përmbushur pikërisht këtë obligim procedural lidhur me të drejtën e jetës: që të ndërmarrin një hetim serioz, efikas dhe adekuat për personat që e kanë shkelur të drejtën më esenciale njerëzore.

Njëri nga rastet ku Maqedonia ka qenë e paditur para Gjykatës Evropiane është rasti Kitanovska dhe të tjerë kundër Maqedonisë. Në këtë rast tri paditësit kanë qenë të sulmuar në shtëpinë e tyre nga grabitës të cilët e kanë vënë në rrezik jetën e tyre. Grabitësit janë dënuar me dënime efektive me burg nga gjykata kompetente në Maqedoni, por njëri nga të dënuarit nuk ka qenë i kapshëm nga organet e rendit për 11 muaj, dhe paditësit janë ankuar se ky fakt i ka vënë në rrezik jetët e tyre pasi që nuk kanë qenë të sigurt se grabitësi nuk do i sulmojë përsëri. Maqedonia e ka humbur këtë rast para Gjykatës Evropiane sepse nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë se e ka garantuar në mënyrë efikase të drejtën e jetës së paditësve.

Duke pasur parasysh këtë rast, jam shumë kurioze të kuptoj se si do të veprojë Gjykata Evropiane nëse eventualisht para saj një ditë shpaloset rasti i vrasjes së Almirit. Do të kisha dashur të dëgjoj se me cilat argumente institucionet shtetërore të Maqedonisë do të mundohen të arsyetojnë rikualifikimin e akuzës nga vrasje me paramendim në aksident me pasoja vdekjeprurëse. Do të kisha dashur të dëgjoj arsyetimin e këtyre organeve për sjelljen e të akuzuarit pas lirimit të tij nga paraburgimi. Do të kisha dashur të dëgjoj se si do të vërtetojnë institucionet shtetërore se e kanë garantuar të drejtën e jetës për Almirin sipas standardeve fondamentale njerëzore. Do të kisha dashur të dëgjoj se si do të dëshmojnë se procedura penale ndaj marrësit të jetës, ndaj njeriut që ka shkelur të drejtën fondamentale të një personi katërvjeçar ka qenë në fakt serioze, efikase dhe adekuate. Kur shikohet incizimi që tregon momentin e shtypjes me veturë të Almirit, vështirë se dikush mund të ketë dilema se eksiston dashje për të kryer veprën e cila është kryer. Është shumë e qartë që personi i akuzuar me qëllim të plotë drejtohet ti përplasë për muri anëtarët e familjes të cilët janë duke kaluar aty. A ka qenë qëllimi të shtypet pikërisht Almiri nuk ka shumë rendësi, me rendësi është se kryerësi ka dashur të shkaktojë një dëm të tillë dhe këtë e ka arritur. Ndoshta ka dashur ta shtypë babain e Almirit por kjo nuk e bën atë të pafajshëm për vrasjen e Almirit. Kjo quhet dashje eventuale, pasi që nuk ka rendësi se kush është vrarë, por me rendësi është qëllimi për të vrarë. Dhe ky qëllim shihet qartazi që ekziston në videoinçizim. Është thjeshtë një situate faktike e cila nuk mund të ndryshohet. Të karakterizuarit e kësaj si aksident është vërtet e papranueshme dhe ofenduese për inteligjencën e çdo njeriu normal. Të dëshmuarit se aktakuza për aksident rrugor në këtë rast është forma efikase e mbrojtës së të drejtës së jetës, është vështirë e pranueshme në bazë të standardeve evropiane por mbi të gjitha, njerëzore.

Në një shtet, kur vetëm disa ditë më parë në rastin e Sopotit u liruan nga akuza persona të cilët për 15 vite me radhë ishin shpallur të fajshëm dhe vuanin dënimin, dhe ku Prokuroria Speciale më në fund pranoi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit e kanë bërë këtë krim, vështirë është të pranohen sugjerime të gjykatës që pretendojnë se ajo që na shohin sytë në videoinçizm, në fakt nuk është ashtu. Në një shtet ku ka ndodhur shpesh që palës së pandehur të mos i pranohen dëshmitë dhe i gjithë aktgjykimi të bazohet në dëshmitë diskutabile të akuzës, vështirë të krijohet besimi tek sistemi gjyqësor. Aq më vështirë krijohet ky besim kur pala e dëmtuar në rastin e Almirit ndjen se prokurori e mbron më tepër kryerësin e vrasjes se sa viktimën. Është absurde të pritet se mund të ekzistojë çfarëdo lloj besimi ndaj gjyqësisë në këto kushte.

Një shtet që nuk është në gjendje qytetarit të tij t’ia mbrojë të drejtën esenciale të jetës, vështirë se mund të thotë që ka drejtësi funksionale. Ndërsa pa drejtësi nuk mund të pritet që të ketë qetësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button