Plagosen 2 maturantë në Sarandë, 1 ra nga ballkoni, tjetri u lëndua në këmbë

Dy të rinj u dërguan nga Saranda në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë për jetën. Njëri prej tyre ra nga kati i katërt i një hoteli, ndërsa tjetri lëndua në këmbë tek xhami i derës së hotelit. Të rinjtë janë maturantë që kishin mbërritur në Sarandë, për të kaluar një fundjavë me bashkëmoshatarët e tyre. 

Burime nga policia bënë të ditur se 18-vjeçari Egli Roci nga Durrësi është dëmtuar te xhami i hotelit, ku po qëndronte bashkë me maturantët e tjerë, ndërsa Francesko Mino nga Bubullima e Lushnjës rezulton të ketë rënë nga kati i katërt i hotelit. 18-vjeçari dyshohet se ka tentuar të kalojë në ballkonin e dhomës tjetër, ndërsa ishte nën efektin e pijeve alkoolike. 

Kanë qenë shokët e dhomës së hotelit ata që e kanë dërguar me urgjencë në spital të riun. Mendohet se shkak për ngjarjen ka qenë konsumi i tepërt i alkoolit gjatë natës në frekuentimin e diskotekës. Mjekët thanë se nga ekzaminimet emergjente në trupin e tij, kanë konstatuar politrauma, ç’ka ka detyruar dhe transportimin e tij për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. 

Policia e Vlorës bën të ditur se për të dyja rastet bëhet fjalë për ngjarje aksidentale, ndërkohë që ka nisur hetimet ndaj mjekëve të Urgjencës së Sarandës për mosraportim të dy incidenteve në polici. 

Burime nga Policia e Vlorës bëjnë të ditur se ky është i disati rast që Urgjenca e qytetit jugor nuk raporton për incidente të tilla, duke shkelur ligjin për mosnjoftim të organeve të rendit. /balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button