Gjermania përshëndet suksesin e marrëveshjes së refugjatëve BE-Turqi
Gjermania ka përshëndetur suksesin e marrëveshjes për refugjatët midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë në luftën kundër migracionit ilegal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së refugjatëve sirianë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Për qeverinë gjermane, ky është një sukses i përbashkët, së bashku për Evropën dhe për Turqinë. Pas kësaj marrëveshjeje, shumë pak njerëz vdiqën në Detin Egje përderisa përpiqeshin të hynin në Greqi”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane Agela Merkel, në një konferencë për media në Berlin.
“Sa i përket rezultatit të dytë të rëndësishëm të marrëveshjes, kushtet jetësore të më shumë se dy milionë refugjatëve në Turqi, shumica e të cilëve janë sirianë, janë përmirësuar ndjeshëm përmes projekteve të ndryshme të mbështetur nga ndihma financiare e BE-së”, shtoi Seibert.
Zëdhënësi i kancelares Merkel theksoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë marrëveshjen.
Në mars të vitit 2016, BE-ja dhe Turqia arritën një marrëveshje për të marrë masa më të rrepta kundër trafikantëve të njerëzve dhe për të dekurajuar migrimin ilegal përmes Detit Egje, si dhe për të përmirësuar kushtet e refugjatëve sirianë në Turqi.
Megjithëse plani ka reduktuar me sukses flukset e migracionit ilegal dhe ka ardhur si një lehtësim i rëndësishëm për kancelaren Merkel në politikën e brendshme, BE-ja nuk ka arritur që në kohë të dorëzojë fondet e premtuara prej 3 miliardë dollarësh për refugjatët në Turqi.
Sipas marrëveshjes BE-Turqi, shtetet evropiane duhet të mobilizojnë një fond shtesë prej 3 miliardë euro (3,7 miliardë dollarë) deri në fund të vitit 2018.
Marrëveshja poashtu premtoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE dhe udhëtimin pa viza të shtetasve turq brenda zonës Schengen, me kusht që Ankara të përmbushë kriteret e përcaktuara nga Brukseli.
Pavarësisht tensioneve të fundit politike midis Ankarasë dhe kryeqyteteve evropiane, Merkel refuzoi thirrjet e opozitës për të pezulluar bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE dhe mbështeti një politikë dialogu me Turqinë.
Udhëheqësit e BE-së dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pritet të takohen në samitin e planifikuar për me 26 mars në Varna të Bullgarisë.