Osmani: Protesta, pse jo?

Duke komentuar protestat e ndërmarra së fundi nga partia opozitare maqedonase LSDM nëpër qytete të ndryshme të Maqedonisë, lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani nuk ka përjashtuar mundësinë që protesta të tilla të mbahen edhe nga blloku i ri opozitar shqiptar, transmeton televizioni lokal TV2.

Osmani ka theksuar se situata e rënduar ekonomike, marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike si dhe gjendja e krijuar pas samit të NATO-s në Çikago e që ndërlidhet me vonesat e integrimit të Maqedonisë në institucionet euroatlantike, janë motive të arsyeshme që populli të ftohet në protesta për të shprehur revoltën dhe pakënaqësinë si një formë demokratike ndaj politikave regresive që ndiqen nga garnitura aktuale qeverisëse.

“Qëndrimin sa u përket protestave eventuale ne do t’i diskutojmë së bashku me partnerët e ri në kuadër të bllokut opozitar shqiptar, dhe në një situatë të caktuar, në një moment të volitshëm kur ne do të çmojmë edhe protestat si një mënyrë demokratike e manifestimit të pakënaqësisë me situatën aktuale në vend, pse jo, edhe t’i organizojmë”, potencoi Osmani, i cili vë theksin në vijën ndarëse mes protestave që po organizohen nga opozita maqedonase dhe protestat eventuale të bllokut të ri opozitar RDK, DR dhe BDSH.

Liderët e tri partive politike që do të përbejnë aleancën e re opozitare shqiptare në Maqedoni, Rufi Osmani, Kastriot Haxhirexha dhe Bardhyl Mahmuti, pritet që gjatë muajit shtator të konkretizojnë paktin e bashkëpunimit mes tyre për zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2013, si dhe zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button