Ahmeti priti Wohlers

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pritur sot në selinë partiake në Tetovë, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paul Wohlers. Ahmeti dhe Wohlers kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe perspektivat euroatlantike të Maqedonisë, në veçanti pas samitit të NATO në Çikago.

Dy bashkëbiseduesit kanë folur gjithashtu edhe për të ardhmen e Maqedonisë pas Samitit të NATO-s në Çikago me ç’rast thuhet se Wohlers ka rinkonfirmuar qëndrimin se “vendi i Maqedonisë është në NATO” dhe bashkë me Ahmetin kanë shfaqur besimin se proceset, sado të vështira që mund të jenë, kanë zgjidhje dhe janë të arritshme.

“Ahmeti ritheksoi qëndrimin se NATO është alternative e vetme për Maqedoninë dhe që Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të punojë për arritjen e kompromisit dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Sa më shpejtë që të bëhemi pjesë e këtij mekanizmi, aq më mire do të jetë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien sociale të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e BDI-së mbi takimin Ahmeti-Wohlers.

Ambasadori thuhet se ka uruar Ahmetin dhe të gjithë Bashkimin Demokratik për Integrim për 10 vjetorin e themelimit të partisë si dhe theksoi që 10 vjetori i Bashkimit Demokratik për Integrim gjithashtu shënon edhe 10 vjetorin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me BDI-në. Ëohlers ka theksuar që është bërë shumë në këto 10 vite të fundit në Maqedoni, por se “ka edhe shumë punë për tu bërë”.

Kryetari Ahmeti ka falënderuar ambasadorin amerikan për urimet e sinqerta si dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të të gjithë Bashkimit Demokratik për Integrim ndaj rolit konstruktiv dhe partneritet të komunitetit ndërkombëtar, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në ndërtimin e shoqërisë multietnike në Maqedoni./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button