Analistët: Bullgaria shpalos politikën e vërtetë ndaj Maqedonisë

Analistët: Bullgaria shpalos politikën e vërtetë ndaj Maqedonisë

Në telenovelën rreth emrit të Maqedonisë filluan të dalin kumbarë të rinj. Bojko Borisov për mediumet bullgare tha se “Maqedoninë Veriore është e papranueshme, sepse nesër do thonë se Bllagoevgradi është maqedonas”.

Edhe një problem shtesë në rrugën e gjatë të Maqedonisë drejt integrimeve në NATO dhe BE, përzierje edhe të një fqinji tjetër në sagën rreth emrit. Qëndrime të reja të Bullgarisë, apo shpalosje e  politikës së moçme anti – maqedonase?

“Ky është një qëndrim i kamotshëm i Bullgarisë, një strategji shtetërore bullgare” – thotë Abdurrahman Aliti, ish ambasador i Maqedonisë në Bullgari.

Ndërsa për analistin e njohur dhe ish diplomatin Alajdin Demiri, ky qëndrim i kryeministrit bullgar është rezultat i politikës nacionaliste që kanë praktikuar qeveritarët maqedonas ndër vite.

“Zvarritja e zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë hapen edhe telashe të reja për arsye se kto telashe janë problemet esenciale që vet Maqedonia i ka prodhuar, duke i prodhuar nocionet si Maqedonia e Egjeut, Maqedonia e Pirinit, Maqedonia e Vardarit. Dhe këto aspirata nacionaliste të kësaj Maqedonie sot po kthehen në forma të tjera” – deklaroi Alajdin Demiri për Portalb.

Opozita maqedonase fajin e sheh në politikën e dobët diplomatike të qeverisë Gruevski. Ish zv/kryeministrja për eurointegrime nga radhët e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, në një prononcim për Portalb deklaroi se në periudhën e ardhshme mund të presim që të paraqiten gjithnjë e më tepër kumbarë, ndërsa Maqedonia gjithnjë e më pak do të jetë pjesëtare në debate.

“Deklarata e Kryeministrit bullgar tregon se mungesa e politikës së vërtetë të jashtme dhe aktivitetit diplomatik po i dëmton pozicionet maqedonase në rajon, dhe çështja e emrit në vend se të thjeshtëzohet, ajo po komplikohet” – tha Sheqerinska.

Por edhe përkundër deklaratës së fundit të Borisov, e edhe kundërshtimeve të mëhershme të autoriteteve bullgare kryesisht rreth gjuhës maqedonase, njohësit e politikave në rajon nuk mendojnë se Bullgaria do të bllokojë rrugën e integrimeve të Maqedonisë.

“Aspiratat e Bullgarisë janë ndonjëherë të mbyllura e ndonjëherë të hapura, për arsye se është çështje strategjike. Por gjithsesi Bullgaria do të jetë një prej pengesave të ardhshme në këto probleme për stabilizim të Maqedonisë.
Nuk besoj se do të ketë nevojë për bllokimin e Bullgarisë sepse Maqedonia mbetet e bllokuar nga Greqia” – thotë Alajdin Demiri, ndërsa mendimin e njëjtë e ndan edhe Sheqerinska.

Fundja, siç thotë edhe Demiri, për të arritur deri te bllokimi bullgar, duhet të kalojmë “nivelin e parë”, që quhet Greqi. E kjo momentalisht duket rëndë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button