Ali Ahmeti dëshiron Fatos Nanon për President

Në një kohë kur shumica parlamentare dhe opozita nuk po arrijnë të gjejnë konsensusin për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë, duke djegur dy raundet e para të votimit në Kuvend, 26 intelektualë shqiptarë u bëjnë apel krerëve të partive parlamentare që të mbështesin kandidaturën e ish-kryeministrit Fatos Nano për postin e kreut të shtetit.

Në mesin e nënshkruesve është edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Sipas televizionit News 24, përmes një letre të hapur, intelektualët shprehen të bindur se “Fatos Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një president i denjë i Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbim të shtetit e jo në shërbim të palëve”.

Sipas këtyre intelektualëve, Nano përfaqëson vlera liberalizuese dhe demokratike në traditën tonë të re politike, “me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe me reformat demokratizuese të gjysmës së dytë të viteve ‘90-të; me marrëveshjet historike mes të majtës dhe së djathtës, ku Nano ka qenë protagonist i dorës së parë, duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike; me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit Fatos Nano ka vendosur precedentë por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re; me dorëheqjen e tij nga Kryetar i Partisë Socialiste në 2005, Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurrueshmëri skenës sonë politike”.  

Thirrja është firmosur nga Ylli Popa, Dhori Kule, Moikom Zeqo, Gjergj Sinani, Adrian Civici, Mihal Tase, Arben Gjata, Ksenofon Krisafi, Aferdita Jonuzi, Petrit Malaj, Leonard Solis, Luan Bregasi, Zef Preçi, Artan Santo, Bajram Muço, Shaban Sinani, Edit Mihali, Sulo Haderi, Ali Ahmeti, Ukë Ibrahim Rugova, Thimio Kondi, Kujtim Çashku,  Pirro Milkani, Ekrem Bardha, Arjan Gjonca dhe Anton Lulgjuraj.

Lajme të ngjashme

Back to top button