Teuta Arifi, dialogu me gazetarët në moment të vështirë

Dialogu Qeveri-Media nuk është ndërprerë por se ai është në vijim e sipër, deklaroi sot zëvendës kryeministrja Teuta Arifi, koordinatore e qeverisë për këtë dialog, duke demantuar kështu deklaratat e drejtuesve të Shoqatës ë Gazetarëve të Maqedonisë se për më shumë se dy muaj nuk kanë kurrfarë kontaktesh me qeverinë.

Arifi tha se çështje e hapur mbetet negocimi për çështjen e lartësisë së dënimeve dhe u shpreh e bindur se, siç tha, po qe se ekziston  vullnet i mirë i palëve gjithsesi se do të tejkalohet.

‘Konsideroj se dialogu me përfaqësuesit e medias ashtu si edhe me pjesët tjera të obligimeve  të përbashkëta që kemi marrë me Komisionin Evropian,  gjithsesi se është në vijim e sipër,  çdo dialog i ka momentet e veta të lehta dhe momentet e veta jo të lehta, më të ndjeshme, më të vështira, duhet pasur parasysh faktin se është dialog i parë i kësaj natyre që zhvillohet dhe ajo që mund të nënvizoj është që në mënyrë shumë pozitive kemi arritur që të përparojmë në këtë dialog, të dakordohemi për pjesën më të madhe për ligjin për ç’kriminalizim të shpifjes, ndërkohë që të hapura mbeten për tu negociuar deri në fund çështjet e lartësisë së dënimeve që mendoj se në qoftë se ekziston një vullnet i mirë i palëve gjithsesi se do të tejkalohet’ deklaroi zëvendës-kryeministrja Arifi. 

Arifi  tha se dialogu me mediat është një prej elementeve kyçe të ndërtimin dhe përparimin e  procesit të lirisë së shprehjes dhe se beson se do të jetë një proces që do të përfundojë me sukses.

Kohë më parë kryetari i Shoqatës ë Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani  dialogun Qeveri-Media e shpalli ‘të vdekur’ pasi që sipas tij, ata kanë humbur çdo kontakt me përfaqësuesit e qeverisë, edhe përskaj kërkesave të tyre për takim. Fatkeqësish pas tetë muajsh bisedime dhe dialog nuk kanë pasur rezultate nga ky dialog, dhe se nuk kanë pasur as dialog, ishte shprehur Selmani.

‘Nuk dimë se pse për gati dy muaj nuk mund të mblidhemi për të diskutuar për kompensimet maksimale për shpifje dhe ofendim. I kemi kapërcyer të gjitha afatet e paracaktuara dhe nuk na mbetet asgjë tjetër përveç të konstatojmë se ky dialog i filluar me shumë vullnet të mirë nga ana jonë të dal i pasuksesshëm’, tha  Selmani.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare Freedom House Maqedoninë e radhit në vend të fundit  në rajon për nga liria e shtypit./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button