Heqja e përmendores së Aleksandrit të Madh nga aeroporti pritet ta hap linjën ajrore Athinë-Shkup

Ndryshimi i emrit të aeroportit dhe largimi i të gjitha simboleve në lidhje me emrin paraprak pritet që të sjellin linjën ajrore Athinë-Shkup. Ky paralajmërim u bë që nga vjeshta e kaluar.

Që nga mëngjesi i sotëm është i zbrazët vendi ku qëndronte përmendorja e Aleksandrit të Madh, e lartë 1.5 metra, në pjesën e mesme të ndërtesës së aeroportit.

Mbrëmë pas orës 20 kanë filluar aktivitetet për çmontimin e saj, ndërsa siç publikuan disa media më pas ajo u dislokua nga ndërtesa e aeroportit me anë të kompanisë për shërbime të transportit “Duo Transport”, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.

Përmendorja në aeroport ishte vendosur në vitin 2011 si dhuratë nga Murat Ornekoll, drejtori operativ i koncesionarit “TAV”, i cili prej vitit 2010 menaxhon aeroportin në kryeqytetin e Maqedonisë. Fotografitë nga demontimi i përmendores kanë shkaktuar reagime të ndryshme në rrjetet sociale – ka komente të mira, por mes tyre ka edhe paralajmërime për bllokimin e aeroportit nga ana e organizatave patriotike.

Mysafiri i parë Koxias?

Lajmi në titujt e gazetave greke..

“Është larguar statuja e Aleksandrit të Madh nga aeroporti i Shkupit”. Më këtë titull mediat greke pothuajse të ngjajshëm e publikuan lajmin për dislokimin e përmendores nga aeroporti i Shkupit, pa komente shtesë. Vetëm shkurt kanë shkruar se ky veprim vjen pas vendimit të  qeverisë së Maqedonisë për riemërimin e autostradës dhe aeroportit ku edhe u hoqën mbishkrimi Aleksandri i Madh nga aeroporti i Shkupit dhe tabelat rrugore.

Nikos Koxias

Ndryshimi i emrit të aeroportit dhe largimi i të gjitha simboleve në lidhje me emrin paraprak, pritet që ta thyejnë akullin dhe ta realizojë fluturimin e parë nga Athina në Shkup. Siç paralajmërojnë mediat greke, mysafir i parë do të jetë ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias i cili së shpejti duhet të vijë me “propozim-marrëveshjen me shtatë pika” që Greqia e propozon si bazë të mundshme për zgjidhjen e kontestit të emrit. Sipas mediave greke, që thirren në burime qeveritare, në atë propozim-marrëveshje janë përfshirë propozim zgjidhjet e të gjitha çështjeve specifike për marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe për rrugën e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare. Deri tani nuk ka konfirmim se kur Koxias do të vijë saktë në Shkup dhe a do të vijë me aeroplanin e parë në “Aeroportin ndërkombëtar Shkup” ose nëpërmjet autostradës “Miqësia”.

Linja ajrore Shkup-Athinë

Por, ideja për vendosjen e linjës ajrore Athinë-Shkup nuk është e re dhe nuk lidhet vetëm me riemërimin e aeroportit, por për nevojat e qytetarëve të të dy vendeve dhe bizneset e tyre.

Në vitin 2003, ekzistonte linjë e rregullt mes Shkupit dhe Athinës pesë herë në javë, por u ndërpre. Bashkësitë e biznesit nga Maqedonia dhe Greqia në vitin 2016  kërkuan që të vendoset përsëri. Kërkesa nga ana e Maqedonisë u arsyetua me argumentin se Greqia është një ndër pesë vendet më të rëndësishme tregtare partnere të Maqedonisë me investime më të larta në bankë, industrinë e naftës, tregtinë dhe tekstilin, dhe me të dhëna se atë vit të dy vendet kanë realizuar shkëmbim tregtar prej 598 milionë euro, nga të cilat 148 milionë për eksport, ndërsa 450 për import.

Vitin e kaluar, udhëheqësi i linjës ajrore “Eagian Airlines” në konferencë për media deklaroi se kompania në vitin 2018 do të vendos 11 destinacione të reja, mes të cilave edhe fluturimin Athinë-Shkup dhe në të kundërtën.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Çeshtja e emrit, Maqedoni - Greqi

Çeshtja e emrit, Maqedoni – Greqi, ilustrim

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button