Ben Blushi: Aleancë me LSI për të rrëzuar Sali Berishën

Deputeti i PS-së, Ben Blushi, i ftuar dje në një emision televiziv deklaroi se PS është e gatshme për një aleancë me LSI-në për të rrëzuar qeverinë Berisha.

‘Sigurisht që po. Nuk kam asnjë dilemë për këtë. Pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, eventualisht ne mund të kemi një koalicion me LSI-në. Nëse ka njerëz që janë të papërgatitur për këtë që po ndodh kjo tregon se kanë problem me fantazinë e tyre, nuk parashikojnë dot që një ditë ajo që u duket e pamundur, mund të jetë e mundur dhe në qoftë se ka një gjë që stonon në këto 20 vjet në Shqipëri ëhstë aleanca e PD-së me LSI-në. Aleanca PS-LSI pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, mënyra si është folur, për ta prishur apo për ta ndrequr këtë marrëdhënie organike, kjo aleancë është biologjikisht e mundur. Është bashkimi i dy trupave që për arsye që dihen u ndanë dhe ribashkohen. Nuk hyj te ata që janë shumë entuziastë, as euforikë për këtë që po ndodh, por hyj te ata që mendonin se kjo gjë mund të ndodhte një ditë. Mesa duket tani është koha. Mos prisni që ky proces të ndodh pas një jave, dy javësh, apo pas 3-4 muajsh. Është një proces që sa ka filluar, por është gjithmonë i pritshëm dhe meqë është i pritshëm është i mundshëm’,- deklaroi Blushi.

I pyetur për presidentin e ardhshëm nëse e sheh Nanon si kandidat të mundshëm Blushi theksoi: Kjo gjë po rezulton çdo ditë e më e pamundur, jo për arsyet tona, sepse sot Berisha tha që ‘unë do tentoj të zgjedh një President nga PD-ja dhe e djathta’. Për aq sa kuptoj unë kjo e përjashton.
Nëse Berisha zgjedh nje President pa LSI dhe Meta largohet, jeni gati të ndërtoni aleancë me të për të rrëzuar Sali Berishën? ’Absolutisht. Ne jemi të gatshëm përditë për ta rrëzuar Berishën në Parlament. ‘,- deklaroi Blushi. /botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button