Sot protesta, apel për paqe nga të gjitha partitë shqiptare

Në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe Kumanovë për sot në rrjetet sociale është paralajmëruar se do të zhvillohen protesta me moton ‘Stop rasteve të montuara’.

Protestat të cilat duhet të jenë vijim i protestës së të premtes së kaluar, janë të ndikuara nga mënyra se si MPB zhvilloi aksionin policor Monstrum, mëngjesin e 1 majit.

Protesta eventuale nuk do të ketë organizator publik, ashtu siç ndodhi edhe me protestën e e para një jave, dhe fillimi i saj është në terminin e njëjtë, në ora 13.30 minuta menjëherë pas faljes së namazit të xhumasë.

Faktorët politik në vend si dhe faktori ndërkombëtar kanë apeluar që protestat të zhvillohen në qetësi dhe të mos prishet rendi publik. 

Një kërkesë të tillë kanë drejtuar lideri i BDI-së në pushtet Ali Ahmeti, ndërsa lideri i opozitës shqiptare Thaçi u ka bërë thirrje shqiptarëve që të  mos dalin në protesta fare.
Edhe kryeministri Gruevski ka apeluar për protesta të qeta dhe ruajtjen e bashkëjetesës mes komuniteteve. 

Apel për protesta të qeta kanë dërguar Ambasada amerikane në Shkup dhe Misioni i Bashkimit evropian.

MPB ka njoftuar se policia nuk do të lejojë prishjen e rendit publik.

Një kundër-protestë e kësaj të sotmes, gjithashtu në rrjetet sociale paralajmërohet për të shtunën. E organizojnë të rinj nga komuniteti maqedonas, ndërsa do të zhvillohet para godinës së qeverisë. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button