Protestat, të gjithë ftojnë për qetësi dhe maturi

Ambasada e SHBA-ve në Shkup sot përmes një njoftimi zyrtarë lidhur me paralajmërimet për mbajtjen e protestave gjatë nesër  në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Strugë dhe qytete tjera, për të shprehur reagimin lidhur me aksionin “Monstrum”, gjegjësisht në lidhje me arrestimet e shqiptarëve për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovcë të Shkupit, si dhe për protestat e paralajmëruar për të shtunën nga ana e komunitetit maqedonas, apolon që të njëjtat të zhvillohen në mënyrë të qetë.

“Jemi të informuar që ka pasur thirrje për demostrata në tërë vendin gjatë ditës së nesërme dhe të shtunën në lidhje me vrasjen e pesë personave muajin e kaluar në afërsi të fshatit Smillkovcë. Derisa e drejta për t’u grumbulluar dhe për të shprehur mendimin në mënyrë të qetë duhet respektuar, ne edhe më tej ftojmë qytetarët që të shprehin mendimin e tyre në mënyrë paqësore, të qetë si dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor për këtë çështje në pajtim me ligjet dhe procedurat ligjore të Maqedonisë”, thuhet në deklaratën e SHBA-ve.

Qytetarët të cilët do të protestojnë, ta shprehin mendimin e tyre në mënyrë të qetë dhe me dinjitet, si dhe të lejojnë që procesi juridik të rrjedhë pa pengesa, ftoi sot delegacioni i BE-së në Maqedoni.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup është e njoftuar me paralajmërimet për protesta mbarë vendit gjatë dy ditëve të ardhshme, për shkak të vrasjes së pesëfishtë gjatë muajit të kaluar. Edhe krahas asaj që duhet të respektohet e drejta e të shprehurit të mendimit në mënyrë të qetë, Delegacioni i BE-së përsëri i ftoi të gjithë qytetarët ta shprehin mendimin e tyre në mënyrë të qetë dhe të lejojnë që procesi juridik ta ndjek rrjedhë pa pengesa, në përputhshmëri me ligjet dhe procedurat gjyqësore”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së në Shkup.

Për protestat e organizuara në rrjetet sociale pak më parë u prononcuar edhe partia shqiptare në pushtet BDI. Bashkimi Demokratik për Integrim apelon deri tek ata që dëshirojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre, këtë ta bëjnë në mënyrë paqësor dhe me dinjitet.

E ardhmja e Maqedonisë ndërtohet vetëm duke kultivuar marrëdhënie të mirëfillta ndëretnike dhe tolerancë ndërqytetare që në vazhdimësi vlerësohet edhe nga miqtë ndërkombëtar të cilët janë bashkëpjesëmarrës në të arriturat tona të përbashkëta, thuhet në komunikatën me shkrim të BDI-së. 

‘Ftojmë qytetarët që të kanë durim dhe të lejojnë institucionet e vendit ta bëjnë punën e tyre në zbardhjen e rastit të vrasjes së pesëfishtë. BDI siguron qytetarët se  po ndjek procedurat hetimore në çdo hap dhe insiston në zhvillimin e drejt të procesit hetimor drejt zbardhjes së rastit, pa marrë parasysh etninë ose përkatësinë fetare të të dyshuarve për kryerjen e aktit makabër”, thuhet në komunikatë.

‘BDI është parti politike e cila është e përcaktuar që të mbrojë parimet e demokracisë, përfshirë edhe të drejtën për protesta demokratike, të qeta dhe paqësore. Andaj, në lidhje me protestën e paralajmëruar për nesër nëpërmjet rrjeteve sociale, BDI apelon deri tek pjesëmarrësit që të shprehin opinionet e tyre me dinjitet dhe në mënyrë paqësore e demokratike’, thuhet më tej në komunikatë.  

Edhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, u prononcua lidhur me mbajtjen e protestave. Ai apeloi deri te qytetarët shqiptarë që as mos të dalin të protestojnë, sepse protesta me kërkesa fetare nuk janë në interes të shqiptarëve. 

“Do t’ju lutem sot shqiptarëve që të mos u bashkëngjiten protestave të nesërme sepse nuk i dimë organizatorët. Nuk guxojmë të hymë në aventura, nuk guxojmë t’i ndërlidhim gjërat nga aspekti etnik dhe religjioz. Ne asnjëherë nuk kemi pasur probleme religjioze, kurse etnike po”, deklaroi Thaçi.

Lidhur me protestat e të premtes dhe të shtunës është prononcuar edhe kryeministri Gruevski.Është e drejtë demokratike dhe e njeriut të protestohet, por secili që të dalë të kujdeset edhe për përgjegjësinë e vet, apeloi kryeministri Nikolla Gruevski. Gruevski bëri thirrje për kujdes me qëllim që të mos prishet bashkëjetesa ndëretnike dhe ndërfetare në vend. 

‘Secili ka të drejtë të protestojë. Kjo është e drejta demokratike dhe e njeriut dhe nga ky aspekt unë nuk kam asgjë kundër protestës së nesërme, mirëpo secili që do të protestojë duhet të kujdeset për përgjegjësinë e vet, sepse jeton në një shoqëri demokratike dhe duhet të mbaj kujdes që të mos u nënshtrohet manipulimeve të caktuara ose agjendave të tjera. Maqedonia është shtet shumë etnik, dhe multi konfesional.  Jetojmë bashkë dhe do të vazhdojmë të jetojmë bashkë. Duhet menduar edhe për ditën më pas, kështu që apeloj për secilin nga demonstruesit e nesërm, duke shprehur mendimin e vet për atë se për çfarë ka dalë ai – të kujdeset edhe për përgjegjësinë e vet’ tha Gruevski.

Edhe analistët kërkojnë që protestat të jenë të qeta, por se edhe organizatorët të paraqiten publikisht dhe të marrin përgjegjësinë për mbarëvajtjen e protestave si dhe të bëjnë publike porosinë e tyre.

Sipas rrjeteve sociale protesta kundër mënyrës se si u zhvillua aksioni policor Monstrum do të zhvillohen nesër në ora 13.30 në qytetete me shumicë shqiptare në Maqedoni, ndërsa një ditë pas, të shtunën kundër-protestë para qeverisë, gjithashtu në rrjetet sociale kanë paralajmëruar  të rinj maqedonas. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button