Philip Gordon: NATO s’do ta pranojë Maqedoninë në Çikago

Ndihmës Sekretari shtetëror Philip Gordon, sot para Senatit amerikan vërtetoi se në samitin e NATO-s në Çikago nuk do të sillet vendim për pranimin e shteteve të reja.

Në panel diskutimin përkushtuar NATO-s dhe samitit në Çikago, në Komisionin për marrëdhënie të jashtme të Senatit amerikan, duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve, Gordon shtoi se arsyeja se pse nuk do të ketë zgjerime të reja është mungesa e përgatitjes e disa nga shteteve kandidatë, ose mungesa e konsensusit për zgjerim mes shteteve anëtare të NATO-s.

Ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve theksoi se, sipas Uashingtonit, Republika e Maqedonisë i plotëson kriteret dhe është e gatshme për t’u anëtarësuar në NATO, por mbetet të tejkalohet kontesti me Republikën e Greqisë. 

Gordon i numëroi Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Gjeorgjinë si vende kandidate për anëtarësim, duke theksuar se në samitin e NATO-s në Çikago dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë se Aleanca vazhdon të jetë e hapur për anëtarësime të reja në të ardhmen.

“Në samitin në Çikago do të dërgojmë një mesazh të qartë se NATO vazhdon të jetë e hapur për të gjitha shtetet demokrate të Evropës të cilat janë të gatshme  dhe të afta për t’i ndërmarrë të gjitha obligimet në lidhje me anëtarësimin. Sa i përket Maqedonisë konkretisht, ajo i plotëson kriteret kyçe për anëtarësim në NATO.

SHBA-të vazhdojnë të jenë të kyçura dhe ta ndjekin procesin e bisedimeve për tejkalimin e kontestit për emrin, i cili udhëhiqet nga z. Metthew Niemitz. Arritja e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Maqedonisë do të mundësojë plotësimin e ftesës ndaj Maqedoninë për anëtarësim në NATO”, deklaroi Gordon./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button