Restaurimi i Xhamisë Ali Pasha në Ohër, Ministria e Kulturës formoi Komision

Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë njofton se është formuar Komisioni nga persona profesional që t’i inspektojë rrethanat në lidhje me restaurimin e Xhamisë Ali Pasha në Ohër, njofton Portalb.mk.

Grupi punues erdhi në përfundim se ministri i Kulturës nuk ka bazë që t’i ndërpret punimet, por i inkurajon të gjitha institucionet kompetente të veprojnë nëse ka indikacione për shkelje të procedurave ligjore.

Grupi punues ka rekomanduar, ndërkaq Ministria do të dorëzojë kërkesë deri tek UNESCO për mendim profesional – nëse rikonstruksioni i objektit me dimensione të tilla është në përputhje me standardet për mbrojtjen e qytetit.

“Ministria e Kulturës nuk ka asgjë kundër restaurimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu edhe objektet fetare, por duan që ajo të zbatohet ligjërisht, duke i respektuar të gjitha dispozitat dhe procedurat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e objekteve me rëndësi historike. Do të dëshironim që të rikujtojmë se liritë fetare janë të garantuara me Kushtetutën e Maqedonisë, ndërkaq mbrojtja e trashëgimisë kulture, duke përfshirë edhe objektet historiko fetare, pa marrë parasysh se cilit religjion i përket”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Ndryshe, kohë më parë BFI deklaroi se restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër, bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe në përputhje me projektin e përgatitur i cili ka marrë të gjitha lejet e nevojshme. Kjo erdhi pas reagimt të disa qytetarëve të Ohrit, të cilët të organizuar dhe mbështetur nga OJQ “Sovest” reaguan ndaj mënyrës me të cilën restaurohet Xhamia e Ali Pashës në Çarshinë e Ohrit, e cila sipas tyre nuk është në përputhje me ligjin.

Ish-drejtoresha e Muzeut të Ohrit, Paskali-Buntasheska, në një deklaratë me shkrim hodhi poshtë akuzat e shoqatës në fjalë duke thënë se restaurimi zhvillohet sipas një projekti të punuar nga ekspertë dhe për të cilin janë marrë të gjitha lejet e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button