Merko se do Islamoskin
Nominimi i Fadil Islamoskit nga ana e Këshillit të shkollës fillore”Goce Dellcev” të Podgorcës për postin e drejtor të këtij institucioni arsimor nuk është pritur mirë nga pushteti vendor i Strugës i cili ka tagrin e emërimit zyrtar të drejtorit.
Fadil Islamoski synon mandatin e dytë në krye të kësaj shkolle e cila prej kohësh është në epiqendër të vëmendjes së opinionit të gjerë si rezultat i problematikës së paraleleve të pa legalizuara shqipe që funksionojnë në këtë shkollë prej afërsisht tre viteve.
Nga pushteti vendor i Strugës kanë rezerva për punën e drejtorit Fadil Islamoski tashmë kandidat i vetëm i propozuar për postin e drejtorit, sepse gjatë punës së tij katërvjeçare theksojnë vendorët ai ka ndërprerë në mënyrë kategorike marrëdhëniet me Komunën e Strugës dhe është bërë barrierë për mos zgjidhjen e statusit të paraleleve shqipe të Podgorcës.
Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko pohon se komuna ka tagrin që edhe mund ta refuzojë njëherë propozimin e Këshillit të shkollës për emërimin e drejtorit, por pas konsumimit të këtij veprimi është MASH-i që e ka normë ligjore emërimin e drejtorit.
Merko gjithashtu sqaron se në drejtim të drejtorit dhe tashmë kandidatit Islamoski ka rezerva dhe dilema për emërimin e tij, por thekson se akoma nuk ka marr një qëndrim përfundimtar për këtë problematikë.
‘Është e vertet që kam disa dilema për propozimin e ardhur nga Këshilli i shkollës ‘Goce Dellcev’, por akoma nuk mund të them se cili do të jetë vendimi final për këtë çështje’ përfundon Ramiz Merko./Portalb/